DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE për botime letrare
Projekti MNEME do të sjellë në shqipe 11 vepra të autorëve evropianë, duke pasuruar bibliotekën letrare shqipe me rrëfime mbi kujtesën, identitetin, lirinë dhe përvojën njerëzore.
SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim i ri i jep vazhdimësi angazhimit të Dukagjinit për ta pasuruar hapësirën letrare shqipe me vepra që zgjerojnë horizontin e lexuesit dhe krijojnë ura mes kulturave.
Projekti do të zhvillohet nga nëntori i vitit 2026 deri në tetor të vitit 2029 dhe përfshin autorë nga vende e tradita të ndryshme letrare evropiane. Përzgjedhja është mbështetur në një koncept që i lidh këto vepra përtej dallimeve të gjuhës, të stilit dhe të prejardhjes: kujtesën si pjesë të pandashme të përvojës njerëzore.
Emri MNEME vjen nga koncepti i lashtë grek i kujtesës. Në këtë projekt, kujtesa nuk është veç kthim tek e kaluara, por te mënyra se si ajo vazhdon të jetojë brenda nesh, të formësojë identitetin dhe të ndikojë në marrëdhëniet tona me të tjerët. Ajo bartet përmes historive familjare, përvojave kolektive dhe ngjarjeve që lënë gjurmë në jetën e individëve e të shoqërive, edhe shumë kohë pasi kanë ndodhur.
Përmes veprave të përzgjedhura, projekti trajton luftën dhe pasojat e saj, lirinë individuale, përvojat e grave, përjashtimin shoqëror, kujtesën familjare dhe sfidat mjedisore. Në këtë përzgjedhje përfshihen shkrimtarët/et: Oksana Zabuzhko, Serhiy Zhadan, Taras Prokhasko, Cristina Morales, Emmi Itäranta, Marie NDiaye, Elsa Morante, Nikos Davvetas, Eleni Kefala, Lutz Seiler dhe Saskia de Coster. Secili prej tyre sjell një mënyrë të veçantë të të rrëfyerit dhe të botëkonceptimit, duke e zgjeruar përfytyrimin tonë për përvojat që na bashkojnë dhe ato që na dallojnë.
Një vend të rëndësishëm në këtë përzgjedhje zë përballja me historitë që rrezikojnë të mbeten në heshtje. Qoftë përmes jetës së njerëzve të zakonshëm në kohë lufte, qoftë përmes kujtimeve të trashëguara, identiteteve të vëna në pikëpyetje apo marrëdhënies së njeriut me natyrën, këto vepra tregojnë se letërsia mund të ruajë atë që historia shpesh nuk e përfshin. Ajo jo vetëm që dëshmon për të kaluarën, por na ndihmon të kuptojmë se si ajo vazhdon të ndikojë në të tashmen dhe në mënyrën si e përfytyrojmë të ardhmen.
Për lexuesin shqiptar, botimi i këtyre veprave përfaqëson një mundësi për të njohur zëra dhe përvoja letrare nga hapësira të ndryshme të Evropës. Përkthimi krijon një urë mes kulturave, duke u dhënë veprave mundësinë të (për)jetësohen në një gjuhë të re dhe të gjejnë interpretime të reja te lexuesit e tyre. Në të njëjtën kohë, njohja me përvojat e të tjerëve na fton të reflektojmë edhe mbi historitë tona, mbi kujtesën që bartim dhe mbi mënyrën si e kuptojmë veten në raport me botën.
Me projektin MNEME, Dukagjini vazhdon të investojë në një hapësirë letrare shqipe më të pasur dhe më të hapur ndaj diversitetit kulturor evropian. Mbështetja e dytë nga “Evropa Kreative” dëshmon rëndësinë e këtij angazhimi dhe krijon mundësi që lexuesit shqiptarë të kenë qasje në vepra që nxisin kureshtjen, sfidojnë bindjet dhe e mbajnë gjallë dialogun mes kulturave.
Sepse, edhe ashtu, letërsia, përtej kufijve që ndajnë gjuhët dhe vendet, na ofron mundësinë t’i njohim përvojat e të tjerëve dhe, përmes tyre, ta kuptojmë më mirë veten.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.