DUKAJ DHE DEMO: MALI I ZI DHE SHQIPËRIA FORCOJNË BASHKËPUNIMIN NË ADMINISTRATËN PUBLIKE
Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, u takua në Tiranë me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Ervin Demo, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e administratës publike, qeverisjes lokale, digjitalizimit dhe integrimit evropian.
Dukaj theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira për modernizimin e administratës dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, ndërsa të dy palët vlerësuan nevojën për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ekspertëve.
Në takim u nënvizua gjithashtu rëndësia e një qeverisjeje lokale funksionale dhe të afërt me qytetarët, si dhe e transformimit digjital të shërbimeve publike.
Demo vlerësoi përparimin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së ndërsjellë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Dy ministrat u dakorduan se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i njohurive mund të kontribuojnë në zbatimin më efikas të reformave, duke konfirmuar përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe partneritetit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.