E plotë/ “Vendimtare janë dhe zhvillimet në Europë”- Rama: Shqipëria synon t’i mbyllë negociatat me BE-në në fund
Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit në Forumin e Paqes në Paris, foli për emigracionin, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Rama tha se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa për integrimin në BE theksoi se synimi është mbyllja e negociatave në fund të vitit 2027, nëse gjithçka shkon mirë.
Duke folur për emigracionin, kryeministri tha se nuk e sheh si një prirje në rritje, por si pjesë të një rrugëtimi që lidhet me zhvillimin e vendit dhe rritjen e pritshmërive të qytetarëve.
“Nuk do të thoja që është prirje në rritje për të emigruar, por pjesë e një rrugëtimi. Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi, pritshmëritë e njerëzve po ashtu. Ajo me të cilën po përballemi është evoluimi i pritshmërive më të larta. Nuk jemi vendi i 10 viteve më parë, por jemi krejt ndryshe. Dhjetë vjet më parë nuk do të shfaqeshim në shtypin francez, por sot jemi aty për plazhet, mikpritjen, pra është një vend ndryshe”, tha Rama.
Sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian, Rama u shpreh se nuk mund të japë premtime për një proces që nuk varet vetëm nga Shqipëria.
“E dini shumë më mirë se nuk premton dot asgjë për Europën. Unë kurrë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje. Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t’i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se procesi do të varet edhe nga zhvillimet brenda vetë Bashkimit Europian, duke përmendur zgjedhjet e ardhshme në Francë.
“Kjo do të varet se ku do të jetë BE për 2-3 vjet. Ku do të jetë Franca. Ju keni zgjedhje vitin e ardhshëm, askush nuk e di se ç’lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të përfundojmë punën tonë”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te demokracia, duke theksuar se përmirësimi i saj është një proces i vazhdueshëm.
“Demokracia është një kapitull që nuk mbaron kurrë. Nuk është e përkryer dhe gjithmonë duhet të kujdesemi për të dhe ta përsosim. Kemi shumë punë për të bërë. Edhe Franca nuk e ka përfunduar këtë punë. Është një punë që nuk mbaron kurrë”, u shpreh ai.
Intervista e plotë:
-Së pari, zoti kryeministër, në Shqipëri ashtu si dhe në vende të tjera evropiane të rinjtë po demonstrojnë në rrugë. Çfarë kanë të përbashkëta këto protesta me ato që po ndodhin për shembull në Itali dhe në Francë dhe çfarë është unike për këto që kanë nisur pak më herë dhe me motivacion specifik, kështu që ju lutem e keni ju radhën.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit. Faleminderit shumë që më ftuat këtu. Është kënaqësi që të kthehem në këtë Forum të Paqes çdo vit. Është po ashtu kënaqësi të flasësh me ju duke e ditur që përfaqësoni një institut studimor që është një prej burimeve më me emër të dijes dhe të frymëzimit për projektin evropian. Për t’ju kthyer pyetjes suaj do të thoja që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre. Në të njëjtën kohë do të bëja një dallim midis asaj çka ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet masive të fillim qershorit ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës e që shprehnin shqetësime, të cilat erdhën për rrjedhojë të projektit të famshëm ose famëkeq quajeni në të doni, që lidhet me Jared Kushner, pra dhëndrit të Donald Trump dhe ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq nxiti këtë zemërimin po të themi të demit, në thonjëza, në qytetin tonë
Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë e përshkallëzuan në dhunë që sigurisht nuk është e pranueshme dhe që nuk ka të bëjë aspak e nuk ka të bëjë më me atë çfarë ishte protesta në fillim fare. Është një situatë komplekse në mbarë Europën që në fakt do ta përkufizoja dhe si përplasje midis botës reale dhe botës së medias sociale, prej nga ku shumë të rinj marrin informacionin apo edhe dizinformacionin apo të dyja e po kështu edhe frymëzimin për të përshkallëzuar në mënyra të cilat janë të papranueshme në një shoqëri demokratike. Faleminderit shumë!
– Siç thashë, procesi i anëtarësimit konsiderohet si një prej më të përparuarve në Ballkan. Megjithatë ka kapituj të cilët kanë lidhje me demokracinë dhe të drejtat e njeriut. A tregojnë këto protesta dobësi në këto fusha dhe a mund të pengojnë ato përparimin në këtë drejtim?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, mendoj se kurdo e kudo ka një protestë, ka arsye mbi të cilat duhet reflektuar e arsye për të cilat duhet menduar në përpjekje për të gjetur se çfarë ka në sfond dhe sfondi i kësaj proteste, është shumë komplekse siç thashë, shumë e larmishme. Ka një mori gjërash që janë njësoj si një tenxhere ku zien gjithçka nga shqetësimi i përgjithshëm për mjedisin, te gjepura antisemite të ushqyera apo të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, konkretisht Republika Khomeiniste e Iranit a gjithashtu edhe partitë të opozitës të mëdha apo të vogla, së fundi nuk fshihen dhe aq pas fëmijëve apo të rinjve të radikalizuar me këto iluzionet e Antifas e më tej nga njerëz të cilët kanë shqetësimet e tyre, shqetësime legjitime për koston e jetesës deri te njerëz që janë sjellë e paguar nga krimi i organizuar. Kështu që është shumë komplekse. Është një gjë e tërë shumë komplekse që në fund nuk duhet trajtuar në një mënyrë, por duhet trajtuar në disa mënyra me rregulla të ndryshme. Nga njëra anë të dëgjosh të përpiqesh të krijosh dialog, të reflektosh për gjëra të ndryshme çka ne e bëjmë gjatë gjithë kohës dhe që janë pasqyruar edhe në buxhetin e ri me shumë masa të cilat do ta lehtësojmë pak trysinë e kostos së jetesës, tek rregullat e shtetit të së drejtës, puna e policisë dhe e prokurorisë dhe e gjykatave kundër personave që kanë kryer shkelje, kështu që është shumë komplekse.
– E shoh sepse e shoh dhe në Francë sa komplekse është edhe pse konteksti është ndryshe siç edhe ju e përmendët, procesi i anëtarësimit kërkon disa vjet përgjithësisht sipas mendimit tuaj, a i besojnë ende të rinjtë te anëtarësimi apo po shkurajohen?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, shqiptarët janë shumë të veçantë lidhur me këtë gjë, e lidhur me të gjithë gjënë sepse ndryshe nga vende të tjera në Ballkanin Perëndimor kemi një histori ndryshe. Ne nuk kemi qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Ne nuk ishim pjesë e ish bllokut lindor si të tjerë. Ne u ndamë me bllokun lindor që në vitet ‘60. Pastaj u hodhëm në një marrëdhënie shumë të veçantë e unike me Kinën e Maos dhe kemi qenë gjatë gjithë kohës Koreja e Veriut e Europës dhe pastaj kur dolëm nga ky ferr dolëm të transformuar tërësisht në taleban perëndimor në një kuptim, domethënë në fanatikë të Perëndimit për arsye të mira sepse ne kemi normën më të lartë të euro-optimizmit në Evropë dhe mbetemi të tillë sepse për shqiptarët e për ne në Shqipëri, Bashkimi Evropian është për ne çka ishte për etërit themelues, jo një bankomat, por një hapësirë lirie, sigurie, paqeje dhe bashkëpunim. Kështu që nuk ka aspak dyshim që pavarësisht konflikteve të brendshme apo polarizimit apo pikëpamjeve politike apo protestave të gjithë, absolutisht të gjithë bien dakord që Europa është objektivi e destinacioni ynë i përbashkët. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër e as nuk e kërkojmë një të tillë. Ne nuk i ndikohemi nga të tjerë përveçse nga projekti europian. Kështu që jemi mirëfilli europianët më të mirë që mund të gjeni sot në Europë. Faleminderit.
– Mirë, kjo është të paktën një ambicie mjaft e bukur.
Kryeministri Edi Rama: Nuk është ambicie, është fakt. Është fakt.
– Mirë. Ju e dini natyrisht më mirë sesa unë. Ka një prirje në rritje mes të rinjve për të emigruar. A do të fashitet?
Kryeministri Edi Rama: Nuk mendoj se është, nuk do të thoja që është prirje në rritje. Do të thoja që është pjesë e këtij rrugëtimi. Shkon paralelisht me të. Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi rritet, eksportet rriten, por në të njëjtën kohë. ambiciet e pritshmëritë e njerëzve rriten po ashtu. Pra ajo me të cilën po përballemi është ajo çfarë Tocqueville do ta quante evoluim të pritshmërive më të larta, sepse nuk jemi më vendi i 10 viteve më parë. Jemi një vend krejt ndryshe dhe këtë mund ta shihni edhe nga lajmet në shtypin francez. 10 vjet më parë do të shfaqeshim në shtypin francez shumë rrallë për arsye shumë negative, ndërkohë që jemi shumë shpesh sot të pranishëm në shtyp francez për arsye shumë të mira si për shembull plazhet, mikpritja, malet e mrekullueshme apo si një vend i mrekullueshëm për ta vizituar. Është një vend ndryshe.
– Çfarë mund t’u premtoni të rinjve lidhur me afatet e anëtarësimit dhe çfarë i kërkoni Evropës?
Kryeministri Edi Rama: Ju e dini më mirë duke qenë se merreni me Evropën që prej një kohe të gjatë dhe siç po më thoshit më parë që keni shoqëruar legjendën e Europës Jacques Delors dhe në ditët e fundit kështu që e dini shumë më mirë se askush nuk premton dot asgjë lidhur me Europën sepse nuk i dihet. Për më tepër unë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje, por ajo çfarë është shumë e qartë bazuar edhe në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian, Komisioni është shprehur se viti tjetër do të jetë viti ku duhet të nisim të punojmë me traktatin e anëtarësimit, çka nënkupton se jemi në fazën e fundit fare të negociatave dhe në qoftë se gjithçka shkon mirë do t’i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm e do të jemi gati të hedhim hapin e fundit, por sigurisht që do të varet kjo edhe se ku do të jetë për dy a tre vjet Bashkimi Europian, ku do të jetë Franca? Keni zgjedhje vitin e ardhshëm me aq sa ta kuptoj. Askush nuk e di se ç’lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Kështu që e dini, kështu është. Megjithatë ajo çfarë dimë është që duhet të bëjmë punën tonë dhe duhet të përfundojmë punën që po bëjmë.
– Pra duke ju kthyer përfundimit të punës Kapitulli i demokracisë është një kapitull i qartë? Çfarë mendoni se është arritur në këtë drejtim?
Kryeministri Edi Rama: Demokracia është një kapitull që nuk mbaron kurrë. Prej vetë përkufizimit të saj nuk është e përkryer dhe gjithmonë duhet kujdesur e duhet përsosur. Kështu që kemi shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim. Por nuk mendoj se Franca për shembull e ka përfunduar këtë punë edhe Franca duhet të bëjë gjëra në këtë drejtim. Çdo vend duhet të bëjë gjëra në këtë drejtim. Është një punë që nuk mbaron kurrë.
– Tani kemi kohë për pyetje. Ju lutem mos hezitoni.
– Faleminderit shumë, zoti Kryeministër. Kam pyetje për Inteligjencën Artificiale. Vendi po i afrohet më shumë anëtarësimit në Bashkimit Europian, por dua të flas për inteligjencën artificiale sepse të gjithë flasin këtu brenda jashtë këtij forumi. Si mendoni, që rregullimi i inteligjencës artificiale mund të ndikojë në anëtarësimin në Bashkimin Evopian sepse mund të ndikojë në teknologji e negociatat?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, deri më tani e kemi ndarë punën. Nuk është Shqipëria që rregullon, pra me rregulla po rregulloret i bën Bashkimi Europian. Kështu nuk na takon ne të merremi me këto rregullore. Ne na takon të zhvillojmë çfarë mundemi sa i takon inteligjencës artificiale. Siç mund ta dini kemi ministren e parë të inteligjencës artificiale dhe jemi shumë të kënaqur me të. Po përmirësohet dita ditës. E transformuam procesin e vjetër të transpozimit të Acqui-ve, pra të legjislacionit evropian përmes inteligjencës artificiale. Një sasi pune që për të tjerë para nesh, ka dashur shumë vite që të bëhet. Kroacia ishte një shembull i shkëlqyer, iu desh ende shtatë vjet që ta bënin këtë transpozim duke mobilizuar një ushtri të tërë përkthyesish, hartuesish e juristësh. Ne po e bëjmë më së fundi me shumë shpejtësi. Po punojmë po kështu për diçka që unë shpresoj shumë do të ketë sukses që do të jetë një proces prokurimesh publike, plotësisht që kryhet me inteligjencë artificiale, do të jetë një ndryshim tërësor loje jo vetëm për ne, por për të gjithë të tjerët sepse do të ndihmojë me shumë nga problemet që lidhen me prokurimin publik.
Kështu që inteligjenca artificiale është bekim për vende si i yni. Ashtu siç dhe teknologjitë e reja janë të tilla për vende si i yni, që vijnë nga shumë pas e për të cilat inteligjenca artificiale, teknologji të tilla, i ndihmojnë të bëjnë gjëra që në të kundërt nuk do të mund t’i bënim dot.
95% të shërbimeve tona publike i kemi në internet dhe tashmë kemi krijuar atë çka është pasqyra digjitale që do t’ju shërbejë gjithë qytetarëve e që transformon marrëdhëniet midis qytetarëve dhe institucioneve, tamam si dikush që përdor DHL-në. Pra, gjithkush i kërkon për shembull, shtetit diçka dhe është tamam si një paketë e DHL-së që ti e kontrollon në çdo pikë nëse po trajtohet, nëse po merret dikush me të e kështu me radhë dhe kjo natyrisht ndihmon dhe me përgjegjësinë për nëpunësit publik. Për ne është bekim, për Gjermaninë nuk ishte sepse siç e shihni që Gjermania e ka të vështirë të përshtatet me këtë epokë të re digjitale, duke qenë se ata kanë pasur ‘’makinerinë’’ më të jashtëzakonshme burokratike që punonte gjatë gjithë kohës dhe tashmë të kthesh një anije të madhe për ta çuar diku tjetër, është shumë më e vështirë sesa ne atë ‘’motoskafin’’ tonë që mund të kthehet shumë më shpejt.
– Përmendët më parë që Shqipëria ka aspiratën për t’u bërë pjesë e projektit të Evropës. Megjithatë një nga profesoret tuaja shqiptare, Lea Ypi thotë ‘’liria është si e përkufizojmë lirinë’’. Çfarë është liria? Pra si e përkufizoni ju në këtë pikë lirinë në kuadër të projektit evropian?
Kryeministri Edi Rama: Si e përkufizoj unë lirinë? Nuk e kuptova pyetjen, por do të përpiqem t’ju përgjigjem. Unë e përkufizoj lirinë si mundësia për të ardhur këtu e për t’ju për të folur me ju diçka që kur isha në moshën tuaj, nuk e di çfarë moshe keni. Pikërisht, pikërisht në moshën tuaj 26- vjeçare më duhej të luftoja që të kisha mundësi të kapërceja kufirin e Shqipërisë për të parë botën. Kështu e përkufizoj unë lirinë. Të jem ku dua, të flas me kë dua, të them atë që mendoj sa më shumë të mundem edhe pse në pozicionin që mbaj nuk them dot gjithçka dua.
– Së pari do doja t’ju falenderoja, Kryeministër sepse kam vizituar vendin tuaj pak muaj më parë dhe dua t’ju them që shqiptarët janë shumë mikpritës dhe bie dakort me ju, që ju jeni nga vendet më të mira që ofrohet, pra ofertat. Kur qesh herën e fundit vizitova qendrën bektashi, dua të flas për pjesën e shtetit bektashi në Tiranë. Mendoni që është diçka që Shqipëria do të vazhdojë ta bëjë dhe pas anëtarësimit në BE?
Kryeministri Edi Rama: Po, po punojmë për këtë dhe le të shohim se ku do të mbërrijmë.
– Në kontekstin e Forumit të Paqes së Parisit të këtij viti, si mund të kontribuojë Shqipëria për të nxitur bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor për ta transformuar në një paqe afatgjatë, sidomos duke marrë parasysh edhe tensionet midis Serbisë dhe Kosovës.
Kryeministri Edi Rama: Për këtë mund të them me krenari që Shqipëria ka qenë gjithnjë vend paqedashës dhe gjatë 10 viteve të fundit jemi përpjekur të jemi shumë aktivë në nxitjen e paqes së bashkëpunimit me të gjithë në rajon. Ka disa gjëra që mund të jesh sa i lirë të duash, por që s’mund të zgjedhësh. E ajo çfarë është më e vështirë nuk zgjedh dot kushërinjtë e fqinjët. Nuk i zgjedh dot as kushërinjtë, as fqinjët. Çështje fati. Fqinjët janë aty ku janë. Do të jenë gjithmonë aty. Nuk do të shkojnë asgjëkundi. Kështu që më mirë të përpiqesh që të shkosh mirë me fqinjin, sepse në të kundërt pastaj gjen bela. Gjyshja ime thoshte, fqinj i lumtur bën një shtëpi të lumtur, e kundërta është shumë sfiduese. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka kemi mundur me një farë shkalle suksesi. Por sa i takon çështjes për Serbinë dhe Kosovën mbetet një pikëpyetje sepse edhe në raport me BE-në dhe Serbinë duket sikur gjërat nuk janë më mirë. Ndërkohë që Kosova është një shtet i pavarur, një shtet që njihet nga shumë vende, ende jo nga të gjithë, nuk ka më kthim pas, nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi të re serbe. Kështu që siç e kam thënë gjithmonë, sa më shpejt që serbët të kuptojnë se duhet ta shohin si një fakt jete, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht sa i takon marrëdhënieve në rajon. Faleminderit shumë.
– Kam pyetje lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gjatë dy muajve të fundit ka patur bisedime në BE sa i takon Ukrainës për të qenë përjashtim apo për të përfituar nga një anëtarësim i përshpejtuar. Për një vend si Shqipëria që ka bërë përpjekje zyrtare burokratike për ta bërë procesin siç duhet. Si mendoni për këtë përjashtim të Ukrainës?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, pikësëpari ky përjashtimi është gënjeshtër. Kushdo që e thotë, po gënjen sepse nuk ndodh. Unë besoj së dyti që Ukraina, në fakt duhet t’i njihen të gjitha meritat sepse po lufton jo vetëm për veten, por edhe për Evropën dhe për mënyrën e jetesës së Evropës.
Së treti, unë besoj se në paketën e re të zgjerimit ka qartësi rreth katër vendeve që konsiderohen se janë pararojë që janë Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia.
Besoj që procesi i anëtarësimit është gjëja më e mirë që mund t’u ndodhë vendeve si tonat. Ne nuk jemi Franca që ka qenë shtet që është prej një kohe shumë të gjatë, e ka pasur struktura qysh prej një kohe shumë të gjatë. Ne jemi një vend që vijmë nga një e shkuar shumë e errët. Jemi me një traditë shumë të vogël, në mos jo ekzistuese të shtetit, të institucioneve që mbajnë një vend së bashku.
Ndaj Bashkimi Evropian është një bekim sepse na jep instrumentet për të ndërtuar institucionet tona dhe shtetin tonë. Ndaj besoj se procesi është i gjatë. Po, është i gjatë, por është i nevojshëm. Askush nuk duhet ta tejkalojë apo ta kalojë shansin, sepse është njësoj si të marrësh patentën pa e ditur si t’i japësh makinës dhe të përplasesh vetë, e të dëmtosh të tjerët. Kështu që kemi parë disa të tilla në Evropë.
Unë besoj se rruga e vetme që mund të jetë ndryshe, është që Bashkimi Europian të gjejë kurajën, të mbërrijë tek momenti i tij ‘’Helmut Kohl’’, siç e them shpesh. Helmut Kohl kur shkoi te Muri i rrëzuar, nuk ju tha bashkëqytetarëve gjermanolindorë, ‘’tani jeni të lirë, po ka 33 kapituj që duhet t’i kaloni’’. Jo, i tha ‘’jeni të lirë, tashmë jemi bashkë’’ dhe pastaj institucionet filluan të lidhen me njëri-tjetrin.
Pra, Bashkimi Europian duhet t’i ulë rreth tryeze këto shtatë vende që negociojnë dhe duhet të jenë si fëmijët e Ursulës. Ursula ka shtatë fëmijë. Është rastësi, koinçidencë. Pra ajo s’i ka rritur në lagje fëmijët e saj. I ka rritur me bashkëshortin e vet në shtëpi, rreth tryezës. Pra, nuk ju tha ‘’Shkoni, provojeni të rriteni aty në lagje dhe pastaj ejani’’. Ndaj procesi i mbështetur në meritë duhet të vazhdojë të jetë siç është. Çdo vend duhet të vazhdojë të bëjë ‘’detyrat e shtëpisë’’, por çdo vend duhet të ulet rreth tryezës. Nëqoftëse do të marrësh më shumë nga tryeza, duhet të japësh më shumë në procesin bazuar në meritë. Por politikisht kjo është mënyra për të ndryshuar paradigmën e proceseve që s’mbarojnë kurrë, e të vetove e kështu me radhë. Sa do të ndodhë? Nuk e di, nuk jam i sigurt, por a është gjëja e drejtë për t’u bërë? Po, besoj. Po.
– Faleminderit, Kryeministër, sepse tani jemi në fund të sesionit. Ishte mjaft seancë energjike me mjaft komente që do të thotë anëtarësimi i Shqipërisë u intereson shumë njerëzve. Pra, e fundit ëndrra juaj e Shqipërisë në BE për 10 vite. Si e përfytyroni?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, shpresoj që pikësëpari Bashkimi Evropian t’ia dalë me sukses të shpëtojë prej vetvetes. E gjithçka tjetër pastaj do të jetë në rregull për ne. Shqipëria do të jetë mirë. Por a do të jetë Evropa mirë? Kjo është diçka që Bashkimi Evopian duhet ta zgjidhë, sepse sfida e madhe nuk është kundrejt Shqipërisë, por kundrejt vetë Bashkimit Evropian në një botë që po ndryshon e në të cilën, po kjo është për një forum tjetër, Europës i duhet të përballet me ‘’djallin’’ e medias sociale. Sa më shumë i ‘’zvarrit këmbët’’ Evropa pa e trajtuar këtë çështje, aq më pak do të jetë në gjendje që të mbledhë veten. Sepse ajo çfarë po ndodh, është që politika evropiane po humbet, po i bjerret krejt qendra. Gjërat po shkojnë gjithmonë e më tepër në skaje dhe qendra është bërë si një varr masiv dhe në këtë varr masiv, Europa mund të rrëshkasë njëherë e përgjithmonë nëqoftëse nuk do të përballet me këtë “djall’’.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.