Tabaku në Parlamentin Europian: Kërkuam qeveri teknike dhe zgjedhje të lira në Shqipëri!
Kërkesa për krijimin e një qeverie teknike dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri është ngritur gjatë diskutimit për vendin në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian (AFET).
Lajmi është bërë i ditur nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, pas përfundimit të mbledhjes.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku bëri të ditur se gjatë diskutimit janë trajtuar disa prej shqetësimeve kryesore që lidhen me situatën politike dhe demokratike në Shqipëri, duke vënë theksin te proceset zgjedhore, barazia para ligjit dhe ecuria e integrimit europian.
Sipas deputetes demokrate, një nga çështjet kryesore ishte ndikimi i krimit të organizuar në proceset zgjedhore dhe pengimi i rotacionit politik. Në këtë kontekst, ajo tha se ishte ngritur si domosdoshmëri krijimi i një qeverie teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Tabaku u ndal edhe te zbatimi i ligjit dhe trajtimi i politikanëve të akuzuar për korrupsion, krahasuar me qytetarët që dalin në protesta.
“A trajtohet njësoj një politikan i korruptuar me një qytetar që proteston? A është sot perceptimi që kushdo që bën korrupsion mund të dalë i lirë?”, ishte një nga shqetësimet e ngritura prej saj.
Një tjetër pikë e diskutimit ishte procesi i integrimit europian, për të cilin Tabaku theksoi se Shqipëria nuk duhet të mjaftohet vetëm me miratimin e ligjeve, por duhet të garantojë edhe zbatimin e tyre në praktikë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.