E vetmja çift i sezonit 11 të “Love Is Blind” që u martua, Sarah Williams dhe John Shannon drejt divorcit
Finalja e dasmës u transmetua më 4 nëntor në Netflix, por dokumentet e gjykatës tregojnë se Sarah kërkoi divorcin që më 4 qershor, pas ndarjes në prill
Yjet e “Love Is Blind”, Sarah Williams dhe John Shannon, i kanë dhënë fund martesës. Çifti, i vetmi që tha “po” në finalen e sezonit 11 të programit të Netflix-it, është ndarë: siç njofton People, Sarah paraqiti kërkesën për divorc nga John më 4 qershor, duke përmendur “prishjen e pakthyeshme” të martesës, sipas dokumenteve të gjykatës në Massachusetts të siguruara nga revista.
Sipas dokumenteve, çifti u martua zyrtarisht më 27 mars 2025 dhe jetoi bashkë deri më 15 prill 2026, datë që shënohet si dita e ndarjes. Sarah i ka kërkuar gjykatës ndarje të drejtë të pasurisë dhe detyrimeve, ndërsa në një kërkesë të veçantë ka kërkuar edhe rikthimin e mbiemrit të vajzërisë.
Dyshja u njoh në programin e takimeve të Netflix-it, ku u afruan shpejt falë pasionit të përbashkët për “Harry Potter” dhe Taylor Swift, edhe pse u përballën me dallime në bindjet fetare dhe politike. Lidhja pati një krisje pas takimit të dytë, kur Sarah dëgjoi John-in të thoshte se në fillim e kishte renditur ndër dy të fundit e tij. “Sinqerisht, ishte shumë lënduese”, i tha ajo People muajin e kaluar, duke shtuar se më pas vendosi t’i jepte një shans të dytë.
Dasma e tyre në finale u transmetua në Netflix të mërkurën, më 4 nëntor, ndërsa TMZ ishte media e parë që raportoi ndarjen. Çifti pritet të ribashkohet në episodin e ribashkimit të sezonit 11, që transmetohet të dielën, më 8 nëntor, ku pritet të sqarohet edhe statusi aktual i marrëdhënies së tyre.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.