Edhe pas dy muajsh mbetet mister fati i inxhinierit shqiptar Erkan Nika
Anija tregtare “MV Aroyat”, e cila u dëmtua rëndë në fund të muajit shtator nga një sulm me dronë ukrainas pranë portit rus të Novorossiysk, ka kaluar nëpër Ngushticën e Bosforit në drejtim të kantierëve të çmontimit të anijeve në Aliağa, në provincën e Izmirit, ndërsa fati i inxhinierit të dytë shqiptar, Erkan Nika, vijon të mbetet i panjohur dy muaj pas ngjarjes. Për shkak të kalimit të anijes së dëmtuar, njëqind e dyzet e tetë metra e shtatëmbëdhjetë centimetra e gjatë dhe njëzet e dy metra e tetëdhjetë centimetra e gjerë, e shoqëruar nga rimorkiatori “Eren Enerji IV”, trafiku detar në Bosfor u pezullua përkohësisht.
Mjeti lundrues me flamur të Palaut dhe i administruar nga një kompani turke ishte goditur në Detin e Zi në fund të shtatorit, sulm që shkaktoi një zjarr në pjesën e pasme dhe në ambientet e banimit të ekuipazhit, duke lënë të plagosur disa detarë. Në momentin e goditjes humbën kontaktet me inxhinierin shqiptar Erkan Nika, i cili ra në det dhe nuk u gjet pavarësisht operacioneve të kërkim-shpëtimit të ndërmarra menjëherë pas incidentit.
Pas sulmit, anija u tërhoq me rimorkiatorë drejt brigjeve të Giresunit në Turqi dhe u ankorua në një zonë të sigurt pranë shkëmbinjve Palamut, ku autoritetet kryen edhe një operacion të gjerë kontrolli në dhomën e motorëve dhe në ambientet e brendshme të mbyllura, por pa asnjë gjurmë të inxhinierit shqiptar. Me përfundimin e procedurave ligjore dhe ekspertizës teknike që përcaktoi se dëmet ishin të pariparueshme, u mor vendimi për dërgimin e anijes “Aroyat” për çmontim në Aliağa, duke lënë të hapur enigmën mbi fatin e Erkan Nikës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.