Ekstradohet nga Gjermania ‘polici’ tropojan, dëshmitari i çështjes “Hajdari”
Petrit Çakraj, tropojani i cili ka qenë një nga dëshmitarët kryesorë në çështjen për vrasjen e Azem Hajdarit, është ekstraduar në Shqipëri. 46-vjeçari është ekstraduar nga Gjermania.
Petrit Çakrajt i është caktuar në 8 korrik të 2015-ës nga Gjykata e Kurbinit masa e sigurisë e “arrestit me burg” për kryerjen e veprës penale “Vjedhje me dhunë”.
Më datë 3 korrik të 2015-ës në aksin rrugor Laç-Fushë Krujë, Petrit Cakraj, i është prezantuar dy shtetasve kosovarë si punonjës policie dhe i ka marrë shtetasit Sh.L, sasinë prej 9200 Euro të cilat i mbanin në çantë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden, u bë i mundur arrestimi i tij në Gjermani, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
46-vjeçari është një emër i njohur për policinë. Në 24 dhjetor të 2014 policia e Tropojës është përplsur me armë me të.
Ngjarja ndodhi në fshatin Llukaj te Tropojës. Shkëmbimi i zjarrit nisi sapo 46-vjeçari pikasi, se ne drejtim të banesës se tij, ishin nisur efektivët e policisë.
Pasi ka qëlluar me armë ndaj uniformave blu u largua drejt zonave malore. Petrit Çakraj është arrestuar dhe i liruar nga Gjykata disa herë.