Kronika

FA mbyllin fushatën për mbledhjen e ndihmave për fëmijët e prekur nga tërmeti në Itali

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë mbyllën sot fushatën e mbledhjes së ndihmave për fëmijët e prekur nga tërmeti që goditi Italinë Qendrore disa ditë më parë.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Jeronim Bazo, atasheu ushtarak i Iralisë në vendin tonë kolonel Luciano Palcani, si dhe punonjës ushtarakë e civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli theksoi bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë dhe nënvizoi vlerësimin që kjo nismë ka marrë nga homologia e saj italiane znj. Roberta Pinotti. “Më duhet ta ritheksoj se bashkëpunimi ynë është në të gjitha fushat në të gjitha drejtimet.

Dhe jo vetëm FA italiane dhe qeveria italiane është prezent kur ne kemi nevojë për ndihmën e aleatëve tanë, por dhe ne jemi prezent kur ata kanë nevojë për ndihmën tonë. Kjo gjë vetëm se na nderon, ju nderon dhe e çon më lart reputacionin tonë, i cili është një ndër më të mirët dhe më të suksesshmit në arenën ndërkombëtare ashtu siç është dhe në arenën brenda vendit.”- tha ministrja Kodheli.

Në fjalën e tij përshëndetëse, atasheu ushtarak i Italisë në vendin tonë kolonel Luciano Palcani shprehu falenderimet e tij në emër të të gjithë burrave e grave të FA italiane. “Dëshiroj t’ju falenderoj për këtë iniciativë dhe bujari kaq të madhe që na ka lejuar të mbledhim përgjatë kësaj fushate materiale dhe lodra në ndihmë të fëmijëve të goditur nga tërmeti në qendër të Italisë.

Në të njëjtën kohë falenderimet tona shkojnë për gratë dhe burrat e FA që kanë kontribuar materialisht në arritjen e kësaj fushate të mbledhjes së ndihmave, duke treguar me bujarinë e tyre që kanë qëndruar pranë fëmijëve në zonat që janë goditur nga tërmeti në këtë moment.

Me këtë gjest bujarie është treguar edhe njëherë për raportet e shkëlqyera të bashkëpunimit që lidhin dy vendet dhe dy forcat tona të armatosura, të cilat nuk limitohen vetëm në zhvillimin e aktiviteteve të stërvitjes ushtarake, por shkon edhe përtej kësaj”- tha ai.

Ndihmat e mbledhura do të shpërndahen në zonat e prekura nga tërmeti në Itali nëpërmjet Ambasadës sonë në Romë dhe atasheut ushtarak të Shqipërisë atje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button