Rajoni

Fajon: Liderët e Ballkanit Perëndimor të braktisin deklaratat e rrezikshme

I tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor është pjesë e Evropës dhe si i tillë ka një të ardhme në Bashkimin Evropian (BE), prandaj edhe liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të shikojnë drejt BE-së, tha në një intervistë për Anadolu Agency (AA) Tanja Fajon, anëtare e delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën, njëherësh edhe zëvendës anëtare e Këshillit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Porositë e Fajonit janë bërë në vazhdën e “toneve të kundërta” të cilat mund të dëgjohen së fundmi mes shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor në BE

Anëtarja e delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën, thekson se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, por edhe në tërë Evropën nuk duhet vënë në rrezik, duke shprehur optimizmin e saj se një gjë e tillë është e mundur.

“Besoj se është e mundur paqja dhe stabiliteti në tërë Evropën. Kjo nuk është garanci për secilën ditë që vjen, prandaj duhet të luftojmë dhe të ruajmë këtë paqe dhe stabilitet, dhe nga shkaku i kësaj i kemi këto procese të integrimit evropian. Kjo është arsyeja përse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të kenë një të ardhme në BE. Ndoshta sot kemi sfida tjera nga ato të 50-60 viteve më parë, mirëpo vërejmë edhe humbjen e kredibilitetit të BE-së në rajon, kur forcohen interesat e ndryshme gjeopolitike, qoftë kur bëhet fjalë për rusët, kinezët apo arabët. Mendoj se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe se e ardhja është e përbashkët”, porositi Fajon.

Ajo foli edhe për porositë e Brukselit se nuk do të ketë zgjerim të BE-së deri në vitin 2025, dhe nëse këto porosi dekurajojnë Ballkanin Perëndimor. “Unë jam për hyrje sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, por natyrisht ka disa standarde, ka disa procese nëpër të cilat duhet të kalojë secili shtet. Por, nga ana tjetër, të gjitha ato reforma që bëjmë në rajon janë të rëndësishme, fillimisht për një jetë më të mirë për njerëzit. Nëse i referohemi situatës ekonomike, çështja ka të bëjë se si të hapen vende të reja pune për t’i mbajtur njerëzit në shtëpi. Natyrisht, ekziston edhe nevoja për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe ofruar sundimin e ligjit”, tha Fajon

Beogradi dhe Prishtina e kanë patjetër të bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve

Njëra nga çështjet e hapura në rajon për të cilat foli eurodeputetja Fajon është edhe ajo Beograd – Prishtinë. Theksin e vendosi tek ulja e tensioneve mes dy shteteve dhe si të zgjidhet problemi në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë rrugëtimin drejt BE-së. “Kjo do të ndodhë me një politikë të arsyeshme e cila është e sinqertë, e cila dëshiron që njerëzve në të dyja anët t’iu sigurojë një jetesë me dinjitet.

Kjo është në interesin e Beogradit dhe Prishtinës që në atë dialog të mund disi të përmbushin kushtet, që njerëzit të mund të jetojnë një jetë normale”, tha ajo, për të shtuar se “deklaratat e rrezikshme, që ndryshe thuhen në Bruksel, dhe ndryshe kur kthehen në shtëpi nuk janë të dobishme.”

“Maqedonia së shpejti anëtare e NATO-s”

Përfaqësuesja në Parlamentin Evropian, për AA ka komentuar edhe zhvillimet në Maqedoni, me theks të veçantë tek zgjidhja e qeverisë së re, në kontekst nëse kjo ka ndikuar që vendi të lëvizë më shpejtë në drejtim të proceseve euro-atlantike. “Në cilësi të njeriut i cili beson në shtet social, të hapur dhe të përparuar, vërej lëvizje pozitive në Maqedoni. Me një qeveri të re e cila premton, ka shumë ndryshime në luftën kundër krimit, korrupsionit, punohet edhe në forcimin e prokurorisë dhe sundimit të ligjit. Pres të kemi rezultate pozitive, njëjtë edhe tek çështja e emrit me Greqinë. Sigurisht se njerëzit presin përmirësime pozitive në Maqedoni. Pra, nga kjo pikëpamje shoh ndryshime pozitive në Maqedoni”, tha Fajon.

Ajo thekson se këto ndryshime janë mbështetur nga njerëz të cilat kanë dëshmuar se kanë një orientim proevropian dhe se dëshirojnë një rrugëtim evropian për Maqedoninë. “Maqedonia së shpejti do të bëhet anëtare e NATO-s. Pra, mendoj se tashmë ka një klimë pozitive në shtet. Shpresoj që politikanët bashkë me shoqërinë të shfrytëzojnë këtë moment”, përfundon Fajon.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button