Familjarët e kërkonin prej muajsh, gjendet në lumin Drin trupi i pajetë i 80-vjeçares
Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të diel në zonën e Maqellarë te Bashkisë së Dibrës, ku është gjetur trupi i pajetë i një 80-vjeçareje, e cila rezultonte e humbur prej rreth tre muajsh.
Sipas burimeve nga policia, trupi është gjetur në lumin Drin, në afërsi të fshatit Potgorc. Identifikimi paraprak lidhet me një 80-vjeçare nga Maqellara, e cila prej rreth tre muajsh kishte humbur kontaktet me familjarët dhe të afërmit.
Rrethanat në të cilat e moshuara ka humbur jetën mbeten ende të paqarta. Menjëherë pas gjetjes së trupit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e plotë të rastit.
Trupi është nxjerrë nga ujërat e lumit Drin dhe pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë shkaqet dhe rrethanat e vdekjes. Për momentin, autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse bëhet fjalë për një aksident, mbytje apo nëse ekzistojnë dyshime për ndonjë rrethanë tjetër.
Policia vijon hetimet për të zbardhur dinamikën e ngjarjes, ndërsa pritet edhe rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore, i cili do të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të vdekjes. Rasti ka tronditur banorët e zonës, ndërsa familjarët e 80-vjeçares kishin humbur kontaktet me të prej disa muajsh.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.