Faqja e grupit haker ShinyHunters fikej pasi skadoi afati ndaj FBI-së
Faqja e internetit e grupit haker ShinyHunters, që pretendon se ka vjedhur të dhënat personale e sensitive të mijëra agjentëve të FBI-së, u bë offline të mërkurën, një ditë pasi skadoi afati që grupi i kishte dhënë agjencisë amerikane. Siç njofton Reuters, nuk arriti të përcaktohet pse faqja doli jashtë funksionit dhe ShinyHunters nuk mund të kontaktohej për koment.
Më 22 shtator grupi u tha mediave, përfshirë Reuters-in, se kishte vjedhur të dhëna “për pothuajse të gjithë agjentët e FBI-së dhe personat që kanë aplikuar për punë në FBI”. Sipas raportimit të Reuters, analiza mbi një mostër të dhënash tregoi se ato përmbanin informacione të gjera identifikuese personale, të dhëna sensitive për rolin në punë, si dhe informacione mjekësore dhe psikiatrike.
Hakerët thanë se e synuan FBI-në si reagim ndaj një njoftimi të agjencisë të majit 2026, që sipas tyre përfaqësonte keq veprimet e mëparshme. Ata i dhanë FBI-së një javë kohë për ta “korrigjuar ose thjesht HEQUR” njoftimin, por ai mbetet ende online. Më vonë grupi tha se nuk kishte ndërmend t’i publikonte të dhënat e vjedhura dhe se i kishte përmbushur qëllimet e veta.
FBI tha më 23 shtator se po e hetonte shkeljen “në mënyrë aktive dhe agresive”, por të mërkurën nuk pranoi të komentonte nëse kishte ndërmarrë veprime për ta bërë faqen e hakerëve offline. Brett Leatherman, ndihmësdrejtor i Divizionit Kibernetik të FBI-së, u bëri thirrje hakerëve në një video të publikuar më 29 shtator që të kontaktonin FBI-në “sa zgjedhja është ende e tyre”.
Ndërkohë policia holandeze njoftoi këtë javë se më 15 shtator kishte arrestuar një shtetas holandez në lidhje me hetimin për ShinyHunters. Grupi haker i tha Reuters se personi i arrestuar nuk kishte “asnjë lidhje” me ta dhe e përqeshi policinë holandeze si “të paaftë”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.