Fatmir Xhafaj firmos 14 plane për kontrolle në institucionet e pavarura
Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit të posaçëm për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionaleka firmosur 14 plane pune tematike që parashikojnë seanca dëgjimore dhe procese mbikëqyrjeje parlamentare ndaj institucioneve të pavarura dhe agjencive shtetërore, mes tyre edhe institucione të drejtësisë si SPAK, KLGJ dhe KLP. Dokumentet e analizuara ndahen në katër komponentë kryesorë, që lidhen me zbatimin e ligjeve, kontrollin parlamentar dhe koordinimin ndërinstitucional për çështje me interes publik.
Në komponentin e parë parashikohet analizimi i politikës penale, masave të sigurisë dhe mbipopullimit në burgje, si edhe shqyrtimi i procesit të rregullt ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Në këto seanca pritet të përfshihen institucione shtetërore, organizata jo-fitimprurëse, grupe interesi dhe ekspertë të fushës.
Një tjetër fokus i planit lidhet me emergjencat civile dhe koordinimin institucional në rast krizash. Për këtë çështje janë planifikuar dëgjesa me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe institucione të tjera përgjegjëse.
Në fushën e sigurisë ushqimore dhe standardeve të Bashkimit Evropian do të zhvillohen analiza mbi sistemet e kontrollit dhe zbatimin e standardeve përkatëse.
Komponenti i dytë parashikon mbikëqyrje të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe agjencive ekzekutive, përfshirë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Agjencinë e Trajtimit të Pronave, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe Agjencinë për Efiçencën e Energjisë.
Në kuadër të kontrollit parlamentar post-legjislativ, komponenti i tretë përfshin verifikimin e zbatimit të akteve nënligjore në sektorë të ndryshëm si siguria, ekonomia, financat, çështjet sociale dhe administrata publike. Në këtë proces janë përfshirë edhe institucione të pavarura si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Banka e Shqipërisë, ILDKPI, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AKEP, ERE dhe INSTAT.
Ndërkohë, komponenti i katërt fokusohet te dialogu ndërinstitucional për çështje me interes të lartë publik. Një nga temat kryesore është trajtimi i vonesave në hetime dhe procese gjyqësore, ku pritet të marrin pjesë Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, KLGJ, KLP, Avokati i Popullit, Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë.
Gjithashtu, planet parashikojnë diskutime mbi koordinimin e strategjive për procesin e integrimit europian, me pjesëmarrjen e ministrive, strukturave të integrimit dhe institucioneve të pavarura.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.