Faza e re e turizmit, pa avantazhin e çmimeve të lira; Si do të mbijetojë?!
Faza e re e turizmit, pa avantazhin e çmimeve të lira; Si do të mbijetojë?!

Turizmi shqiptar ka hyrë në një fazë tjetër në vitin 2026. Rritja e flukseve turistike, që dikur dukej e thjeshtë, tani nuk është më edhe aq. Shqipëria, e njohur si destinacioni më i lirë në Mesdhe, duket se ka humbur këtë avantazh, teksa çmimet janë rritur vit pas viti, por pa ofruar ende nivelin e pritshëm të cilësisë së shërbimit. Lufta në Lindjen e Mesme shihet si mundësi, por edhe rrezik. Ndërsa mund të sjellë turistë që shmangin destinacione të tjera për shkak të pasigurisë, ajo gjithashtu ka rritur pasigurinë në furnizimin me karburant. Kjo mund të sjellë kufizime të fluturimeve duke rrezikuar fluksin e vizitorëve nëpër Europë dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Me një sezon veror që mbetet intensiv, sfidat tradicionale të Shqipërisë, si infrastruktura e dobët dhe vonesat në projekte kyçe si Aeroporti i Vlorës, janë ende të pranishme. Pavarësisht përmirësimeve, ecuria e turizmit mbetet e ndikuar nga faktorë të jashtëm dhe cilësia e shërbimit mbetet sfidë. Tashmë ka ardhur koha që te turizmi të mos shihet me bumi por cilësia.
Nertila Maho
Turizmi në Shqipëri po rritet, por jo më me lehtësinë e disa viteve më parë. Historia e “destinacionit të ri të lirë të Mesdheut” po zbehet, ndërsa vendi po hyn në një fazë më komplekse ku ka më shumë turistë, më shumë para, por edhe më shumë presion mbi çmimet, shërbimin dhe infrastrukturën.
Në pamje të parë, gjithçka duket pozitive. Kërkesa po rritet, tregje të reja po hapen dhe Shqipëria po përfiton nga ndryshimet në hartën globale të turizmit.
Kjo rritje nuk është domosdoshmërisht një vulosje qëndrueshmërie. Në shumë raste, ajo duket më shumë rezultat i zhvendosjeve të përkohshme sesa i një pozicionimi të fortë afatgjatë të vendit. Muajt e parë të vitit e treguan qartë këtë kur rritja ishte thuajse inekzistente.
E trumbetuar si destinacioni më i lirë apo thesari i fundit i fshehur, problemi është që sot Shqipëria nuk është më aq e lirë sa dikur. Çmimet janë rritur ndjeshëm dhe në disa raste janë afruar me destinacione si Greqia, por pa arritur ende të njëjtin nivel shërbimi dhe cilësie. Këtu lind edhe çështja kryesore, tani jemi një vend që nuk konkurrojmë dot më vetëm me çmim. Na duhet cilësi. Por për atë ka ende shumë punë.
Kjo shihet qartë në mënyrën si funksionon sektori. Një pjesë e turizmit është e organizuar dhe relativisht e qëndrueshme, me kontrata me garanci dhe struktura akomoduese cilësore.
Por një pjesë tjetër mbetet e çrregullt, me luhatje të mëdha në shërbim dhe pritshmëri. Në epokën e rrjeteve sociale, këto diferenca nuk mbeten të fshehura, ato bëhen imazhi i të gjithë destinacionit kur bëjnë xhiron e rrjetit.
Edhe infrastruktura nuk po ecën me të njëjtin ritëm me pritshmëritë. Projektet e mëdha, si aeroportet apo rrugët bregdetare, shpesh shoqërohen me vonesa ose pasiguri. Operatorët privatë përshtaten shpejt siç është rasti i fundit kur charter-at që duhet të uleshin në Vlorë do të zhvendosen në Tiranë, do të ndryshojnë itinerare, do të riorganizohen paketat.
Në sfond, për këtë sezon kanë hyrë edhe ndikimet e konfliktit në Lindjen e Mesme ku ka dy pritshmëri. Së pari shihet se ekzistojnë edhe rreziqe që nuk varen nga Shqipëria. Konfliktet ndërkombëtare dhe luhatjet në energji mund të ndikojnë drejtpërdrejt në fluksin e turistëve, sidomos për një vend që varet kaq shumë nga fluturimet charter. Turizmi është global dhe Shqipëria është e lidhur fort me këtë zinxhir.
Megjithatë, rritja nuk është në diskutim. Shqipëria pritet të vazhdojë të zgjerohet, por me një ritëm më të ngadaltë. Pyetja nuk është më “a vijnë turistët?”, por “çfarë përvoje gjejnë kur vijnë dhe a do të kthehen?”
Dhe këtu qëndron sfida e vërtetë. Shqipëria nuk është më destinacioni i lirë që konkurron vetëm me çmim. Por ama ende nuk është një destinacion i konsoliduar, që fiton me standard dhe përvojë. Është diku në mes, në një fazë tranzicioni ku çdo dobësi shihet menjëherë, dhe çdo përmirësim ka vlerë të madhe.
Në fund, kjo është ndoshta edhe historia më e sinqertë e turizmit shqiptar sot, jo një bum i thjeshtë, por një industri që po mëson si të rritet.

Çmimi nuk është “arma” kryesore për të konkurruar
Shqipëria vijon të jetë pjesë e mediave ndërkombëtare në artikuj promovues, por sigurisht në një masë më të vogël dhe kryefjala e destinacionit “të lirë” nuk gjendet më aq shpesh. Kjo ndodh jo rastësisht, pasi avantazhi i çmimit për Shqipërinë është zbehur disi.
Sigurisht, çmimet vijojnë të mbeten të ulëta në një sërë segmentesh, por nuk mjafton vetëm të jesh i lirë në çmim, duhet që edhe ajo që merr pas t’i përgjigjet asaj që paguan.
Në mesatare, Shqipëria u është afruar vendeve si Greqia në çmime, duke e bërë konkurrencën edhe më të madhe. Operatorët turistikë gjykojnë se tashmë të konkurrojmë me çmimin e lirë nuk është e mjaftueshme dhe nuk është as më e mira.
Duhet të konkurrojmë me cilësi në mënyrë që përvoja e turistit të mbetet gjatë në mendje dhe të sigurojë qëndrueshmëri të sektorit, ku Shqipëria mund të shndërrohet në një destinacion ku mund të rikthehesh vazhdimisht.
“Shqipëria mund të tërheqë edhe klientë të nivelit me 5 yje, por duhet të jetë konkurruese në raport me vendet e tjera. Duhet të ketë një balancë mes shërbimit dhe çmimit dhe të japë një ofertë më të mirë se konkurrentët.
Nëse ofrojmë më shtrenjtë se Greqia, klienti natyrisht zgjedh atë. Jemi të pozicionuar në hartën e Mesdheut si destinacion dhe na duhet maturi për t’u rritur gradualisht. Duhet të ofrojmë çmime 20–30% më konkurruese, të ndërtojmë identitetin tonë si destinacion që ofron cilësi të caktuar, por me çmime më të favorshme.
Kjo është një rritje që vjen gradualisht me kohën. Një destinacion nuk lind luksoz, por bëhet i tillë”, – pohon Elvis Kotherja, themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality”. Ai nënvizon se nga viti 2023, Shqipëria e ka humbur avantazhin me çmimin, diçka që tashmë duhet të na bëjë të reflektojmë dhe sektori të shkojë drejt maturimit.
Sa i takon këtij viti, duket se strukturat akomoduese të paktën për momentin nuk kanë pasur luhatje çmimesh. Këtë vit, shërbimet e transportit duket se do të prekin më shumë buxhetet e turizmit, si për agjencitë që ofrojnë turizëm të organizuar, edhe për individët.
“Çmimet kanë shënuar rritje në disa zëra të tjerë që lidhen me sektorin, siç është transporti, dhe normalisht kjo është e pritshme. Në restorante, të paktën në hotelet ku kemi marrëveshjet e garancisë, nuk kemi pasur ndryshime.
Në akomodim nuk vihet re ndonjë rritje çmimi. Pra, pritshmëria jonë është që të kemi shtrenjtim të shërbimeve të lidhur me transportin”, thotë për “Monitor”, Rrahman Kasa, administrator i “Happy Tours”, njëkohësisht kreu i Unionit Turistik Shqiptar.
Burimi: INSTAT
Ndikimet e luftës në Lindjen e Mesme, a fiton apo humb Shqipëria
Gjatë marsit, teksa lufta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Izraelit po jepte efektet e para zinxhir, në pesimizmin e krizës të lidhur me naftën, përfaqësues të qeverisë thanë disa herë se lufta mund të jepte ndikim indirekt pozitiv në turizmin vendas.
Kjo u argumentua me faktin se të huajt që zgjidhnin destinacione turistike afër vendit të konfliktit mund të devijonin drejt tregjeve të tjera ku një prej tyre është Shqipëria. A është kjo e vërtetë? Në fakt, po. Shqipërinë po e vizitojnë edhe tani të huaj, që e kanë zgjedhur si alternativë pas situatës në Lindjen e Mesme. Chi Yan Joan Leung, nga Hong Kongu, është një nga këto raste.
“E nisa këtë vit aventurën time të udhëtimit vetëm. Plani fillestar ishte të filloja nga Jordania dhe të vazhdoja më pas në Afrikë, por për shkak të luftës, sigurimi im nuk e mbulonte atë itinerar. Prandaj vendosa që zgjedhja më e mirë ishte të vija në Europë, edhe pse e kisha planifikuar për më vonë.
Ballkani më dukej si rajoni më ekonomik, kështu që vendosa të nis nga Shqipëria si një nga vendet më të lira. Pasi të përfundoj udhëtimin nëpër Europë, shpresoj që lufta të ketë mbaruar, në mënyrë që të vazhdoj me planin tim fillestar”, tha ajo për “Monitor”.
Edhe Samantha Quine nga Virginia e ShBA-së ka ndryshuar planet pikërisht prej luftës.
“Jam një nomade digjitale dhe shumicën e kohës udhëtoj në vende ekonomikisht më të përballueshme. Plani im ishte të shkoja në Bahrejn, në Azinë Perëndimore, por për shkak se u lëshuan shumë raketa në atë zonë, ndryshova drejtim.
Zgjodha Shqipërinë dhe tani planifikoj të qëndroj këtu për dy–tre muaj, në varësi të situatës. Po pres me padurim të vizitoj Jugun, por fatkeqësisht jo të gjitha vendet janë të hapura tani jashtë sezoni”, – tha ajo.
Edhe operatorët turistikë vendas e shohin konfliktin në Lindjen e Mesme si një mundësi nga e cila Shqipëria mund të përfitojë. Për z. Kasa, i vetmi problem është zgjatja e konfliktit që mund të ndikojë te karburantet e avionëve, pasi është ngritur shqetësimi për kufizimin e fluturimeve.
“Lufta ka dy ndikime të pritshme dhe duhet parë sesi do të vijojë situata. Është e vërtetë që disa tregje mund t’i drejtohen Shqipërisë si destinacion turistik për shkak të mbylljes së disa të tjerave, si efekt i konfliktit. Por ka edhe një problem që, nëse do të vazhdojë kjo situatë, do të krijohet deficit në karburant.
Siç është lajmëruar, mungesa e karburantit mund të penalizojë të gjithë, përfshirë Shqipërinë, pasi charter-at do ta kenë të pamundur nisjen. Pra mund të duan të vijnë, por s’ka linja. Që tani janë ndier disa efekte negative nga kjo mungesë, pasi disa destinacione turistike kanë tkurrje të rezervimeve, sepse është dhënë alarmi për mungesën e karburanteve”, – u shpreh ai.
Operatorë të tjerë nënvizojnë se ne duhet të përqendrohemi te përmirësimi i vetes dhe të bëhemi konkurrues duke mos u ndikuar nga euforia e momentit.
“Po, patjetër që do të ketë ndikim nëse situata mbetet kjo që është. Megjithatë, nëse vendoset paqja, panorama mund të ndryshojë disi, pasi këto tregje që sot janë të prekura mund të bëhen shumë agresive në oferta.
Praktikisht, do të kemi një konkurrencë të fortë që do të përpiqet të rikuperojë kohën e humbur. Nga ajo që shohim sot, nuk duhet të biem në eufori me idenë se turistët nuk kanë ku të shkojnë, por duhet të jemi të mprehtë dhe të kemi nuhatje për të reaguar në kohë reale sipas situatës, në mënyrë që të përfitojmë”, – tha z. Kotherja.
Burimi: INSTAT
Nga infrastruktura te plazhet dhe Aeroporti i Vlorës që mbetet i mbyllur
Një vit më parë, operatorët turistikë u detyruan që të gjenin zgjidhje për charter-at e rezervuar për t’u ulur në Aeroportin e Vlorës në kushtet kur ky i fundit nuk ishte ende gati. Në atë kohë, ata u detyruan që të gjenin slote (hapësira) të lira në Aeroportin e Tiranës dhe transfertat drejt Vlorës t’i bënin me autobus.
Pritshmëria ishte që këtë vit, aeroporti të hapej, por në fakt deri në momentin e fundit, operatorët turistikë u lanë mes premtimeve, diçka që tashmë i ka vënë para vështirësive me bashkëpunëtorët e tyre. Një pjesë u detyruan që të pranojnë anulimin e charter-ave që kryesisht ishin nordikë.
“Na është konfirmuar që Aeroporti i Vlorës nuk mund të hapet, pasi ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për të hyrë në operim. Infrastruktura është gati, por ka nevojë për hapa të tjerë që të nisin fluturimet. Lajmi i keq është që nordikët që do të vendoseshin në Vlorë me fluturime nga ky aeroport kanë anuluar për këtë vit, rreth tre charter-a në javë.
Por lajmi i mirë është që autoritetet dhe ne kemi negociuar që Shqipëria të mbetet në listën e destinacioneve për vitin e ardhshëm dhe kemi marrë garancinë që do të jenë pesë charter-a në javë, përkatësisht dy nga Norvegjia, një nga Finlanda, një nga Suedia dhe një nga Danimarka”, – tha z. Kotherja.
Të tjerë operatorë turistikë kanë rënë dakord që të mbajnë kontratat me garanci me hotelet, të cilat kanë marrë një pjesë të pagesave dhe transfertat të paktën deri në korrik t’i bëjnë nga Tirana.
“Ne si agjenci kemi charter-a me parapagim dhe kemi të planifikuar shtatë charter-a në javë për ulje nga Aeroporti i Vlorës. Hotelet kanë marrë këstet e para të gjithë, janë gjashtë hotelet më të mëdha në Radhimë. Në fund të prillit marrin këstin e dytë.
Aktualisht, edhe pse situata e Aeroportit të Vlorës është kjo që është, ne nuk kemi anuluar hotelet, pra vazhdojmë të kemi aktive marrëveshjet. Përfaqësues të aeroportit na kanë premtuar që aeroporti do të hapet më 11 korrik.
Deri atëherë, fluturimet e planifikuara, që nisin nga fundi i majit i kemi zhvendosur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe më pas transfertat do të bëhen me autobus drejt hoteleve në Vlorë”, – tha z. Kasa, i cili nënvizon se mbetet për t’u parë sesi do të shkojnë rezervimet dhe ecuria e sezonit.
Lidhur me çështje të tjera të sezonit që vitin e shkuar u shfaqën problematike, si mungesa e ujit në Golem, për shkak të riparimit në digën e Manskurisë apo menaxhimit të mbetjeve dhe trafikut, duket se operatorët turistikë kanë marrë garanci se kjo do të zgjidhet.
Nëse premtimet do të reflektohen edhe në vepra, kjo mbetet për t’u parë.
Burimi: INSTAT
Sezoni veror e çel siparin më 15 maj me turistët e parë të organizuar
Turistët e parë të organizuar për sezonin veror pritet të vijnë në mes të majit dhe do të vendosen në zonën e Golemit. Durrësi dhe Kavaja, sipas operatorëve të sektorit, janë “hambari” turistik i vendit dhe ashtu si çdo vit, pritet të jenë edhe pjesa më e qëndrueshme e turizmit në tërësi gjatë kësaj vere.
“Bregdeti Durrës-Kavajë është hambari i turizmit dhe sjell fluks të lartë. Saranda me Ksamilin duhet të shihen këtë sezon se çfarë do të ndodhë pas ndryshimeve të deklaruara në menaxhimin e plazheve apo edhe në infrastrukturë. Problemet nuk mund të zhduken menjëherë, por e rëndësishme është të bëhet një hap para nga ajo ku kemi qenë”, – tha z. Kasa.
Por cilët janë në fakt turistët që po tregojnë gjithmonë e më shumë interes për Shqipërinë. Polakët dhe çekët, që tradicionalisht prej më shumë se një dekade kanë treguar interes, vijojnë të jenë të pranishëm, por grupe të tjera po rrisin gjithmonë e më shumë numrat.
“Ajo që bie në sy është një rritje e dukshme e turistëve francezë në Shqipëri, pra ka një interes të shtuar nga ky treg. Grupe të tjera janë polakët, çekët, gjermanët, anglezët, spanjollët dhe nordikët” shprehet z. Kotherja.
Burimi: INSTAT
Kriza e karburantit nuk pritet të prekë fluturimet nga Rinasi
Tregjet globale po përballen me një tjetër valë pasigurie, ndërsa çmimet e karburanteve të aviacionit mbeten të paqëndrueshme për shkak të tensioneve gjeopolitike, kufizimeve në përpunim dhe kërkesës së lartë sezonale.
Por në këtë sfond Shqipëria duket se mbetet jashtë goditjeve të drejtpërdrejta, të paktën për momentin. Operatorët kryesorë në treg raportojnë furnizime të qëndrueshme dhe vijim të normalitetit në operacionet e përditshme, duke reflektuar një kontrast me shqetësimet që po shfaqen në disa rajone të tjera evropiane.
“Monitor” ju drejtua me një kërkesë zyrtare dy prej kompanive ajrore kryesore me kosto të ulët në vend si Wizz Air dhe Ryanair si dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës lidhur me planet e tyre në vijim në kushtet e krizës së karburantit.
“Wizz Air është e pozicionuar mirë për të menaxhuar situatën aktuale të tregut të karburantit.
Kompania ajrore ka siguruar (hedging- marrëveshje paraprake për të blerë karburant me një çmim të caktuar sot, për përdorim në muajt e ardhshëm) rreth 70% të nevojave të saj për karburant për gjashtë muajt e ardhshëm dhe rreth 60% deri në mars 2027, çka ofron një parashikueshmëri të fortë të kostove dhe kufizon ekspozimin ndaj luhatjeve afatshkurtra të çmimeve.
Gjithashtu, flota jonë moderne dhe efikase në konsum karburanti, ku 75% e avionëve i përkasin familjes A320neo, redukton konsumin e karburantit me rreth 20%, duke mbështetur më tej kontrollin e kostove.
Në këtë fazë, nuk po përballemi me probleme strukturore të furnizimit me karburant në rrjetin tonë evropian. Çdo ndërprerje e raportuar së fundmi në disa aeroporte ka qenë e izoluar dhe afatshkurtër, pa ndikim në operacionet e Wizz Air, frekuencat e fluturimeve apo oraret.
Duke parë drejt sezonit veror, Wizz Air vazhdon të operojë sipas planifikimit dhe të zgjerojë rrjetin e saj. Ndërkohë që industria e aviacionit në tërësi vijon të monitorojë zhvillimet e çmimeve të karburantit, pozicioni ynë aktual na lejon të ruajmë stabilitet operacional dhe të vazhdojmë të ofrojmë tarifa konkurruese për pasagjerët.
Për tregje si Shqipëria, ku udhëtimi me kosto të ulët luan një rol kyç për ndërlidhjen dhe turizmin, ruajtja e udhëtimeve ajrore të përballueshme dhe të besueshme mbetet prioritet.
Wizz Air vijon të shohë kërkesë të fortë në Shqipëri dhe mbetet e angazhuar për të mbështetur tregun përmes zgjerimit të vazhdueshëm dhe çmimeve të aksesueshme.”tha Wizz Air.
Ndërkohë kompania tjetër Ryanair nuk kishte kthyer ende një përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës konfirmon se operacionet vijojnë pa ndërprerje, duke theksuar se zinxhiri i furnizimit mbetet funksional pavarësisht zhvillimeve globale.
“TIA nuk ndikohet nga kriza e karburantit për avionë, fluturimet vazhdojnë normalisht Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vazhdon operimin e linjave ajrore duke mos u ndikuar nga kriza globale e mungesës së karburantit për avionë. Nisjet nga TIA do të vazhdojnë normalisht drejt destinacioneve të parashikuara.
Partneri zyrtar i furnizimit me karburant për avionë, Air BP, ka garantuar rezerva të mjaftueshme për TIA-n, mbështetur në rritjen e shpejtë të fluksit të pasagjerëve vitet e fundit.
Furnizimet janë të garantuara dhe situata paraqitet e qëndrueshme, çka na lejon të operojmë pa shqetësime.”
Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare, analistët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i mëtejshëm i tensioneve në zinxhirin e furnizimit ose rritje e papritur e kërkesës gjatë verës mund të rikthejë presionin mbi çmimet e biletave dhe fitimet e operatorëve ajrorë.
Lexoni edhe:
Elvis Kotherja: E kemi humbur avantazhin e raportit cilësi-çmim, turizmi duhet të maturohet
Rrahman Kasa: Pse konflikti në Lindjen e Mesme është mundësi, por edhe rrezik për turizmin
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.