FIFA nxjerr në shitje Botërorin! Kuota për kompani me fonde private, UEFA kërcënon me bojkot
Infantino do të ishte Ceo me rrogë 56 milionë dollarë në vit. Mes investitorëve edhe dhëndri i Trump. Ka një ide për zhvillimin e Kupës së Botës çdo dy vjet. UEFA: Askush nuk është pronar i futbollit.
“Times” ka zbuluar projektin e FIFA-s për të shitur një pjesë të vlerës së Botërorit, 4.2 miliardë dollarë (rreth 20% e vlerës), tek investitorët privatë, mes të cilëve do të ishte edhe familja Kushner e dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump. Më pas FIFA e ka konfirmuar lajmin, por ka shpjeguar se bëhet fjalë për një projekt “për të liruar potencialin komercial të futbollit”. Parashikohet të paguhen 20 milionë dollarë për secilën nga 211 federatat, përveç shtimit të fondeve.
Zyrihu ndryshon kështu vetëm perspektivën. Investitorët do të jenë bashkëpronarë të Botërorit dhe për të maksimimizuar dividentin është e përshtatshme të ndërhyhet te frekuenca dhe finalistët e Kupës së Botës për të rritur të ardhurat. Ka mundësi që në një të ardhme jo të largët të kemi Kupën e Botës çdo dy vjet.
Rreziku lidhet me faktin e lënies së Botërorit në duart e privatit. Federatat duhet të japin aprovimin për këtë projekt dhe sipas “Times”, shpërndarja e milionave do të jetë çelësi për të marrë “Po”-në e tyre. Në rast se projekti aprovohet, Infantino do të ishte Ceo i kompanisë në fund të detyrës së tij si president i FIFA-s. Paga e tij, po sipas “Times”, llogaritet të jetë e ngjashme me atë të komisionerit Nfl, 64 milionë dollarë.
Kompania do të quhet “Fifa Forward Enterprise” (Ffe), e kontrolluar nga FIFA, që bashkon aktivitetet komerciale dhe organizimin e eventeve. FIFA do të kishte autoritet të plotë mbi qeverisjen e futbollit, kalendarin e ndeshjeve dhe vendimet për rregulloren sportive.
Ffe do të mbledhë deri në 4.2 miliardë dollari deri në fund të vitit për të financuar Fffp, mbi bazën e një vlerësimi aksionar fillestar prej 20 miliardë dollarësh, duke seleksionuar me kujdes investitorët afatgjatë që do të kenë kuota në minorancë dhe jo kontrollin e Ffe. Të gjitha përfitimet e Ffe do të investohen në futbollin në nivel botëror.
“Futbolli është sporti më popullor në botë dhe një motor i jashtëzakonshëm zhvillimi njerëzor e social. Disa sektorë të futbollit kanë ditur ta transformojnë këtë popullaritet në një vlerë të konsiderueshme komerciale. FIFA mbështet zhvillimin e qëndrueshëm në çdo cep të botës”, – ka thënë Infantino.
I menjëhershëm ishte reagimi i UEFA-s: “Kjo iniciativë kalon një linjë që institucionet e qeverisë së futbollit nuk duhet ta shkelin. UEFA e konsideron një çështje ekstremisht serioze dhe këtë duhet të bëjnë të gjitha federatat kombëtare, ligat, klubet, futbollistët, tifozët, qeveritë dhe të gjithë ata që e kanë për zemër futbollin, – shkruhet në një komunikatë të shpërndarë nga federata europiane, e firmosur nga Aleksander Ceferin. – Askush nuk është pronar i futbollit. Nuk i përket FIFA-s dhe ajo nuk mund ta shesë”.
Sipas “Sky News”, shumë vende europiane po mendojnë bojkotimin e mundshëm të Botërorit, nëse plani i Infantinos do të miratohet. Anëtarët e UEFA-s do të kenë një mbledhje emergjente virtuale këtë javë në lidhje me këtë çështje.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.