Filipçe me sulm të ri ndaj Platformës 12.05: “Të mjerë, punojnë për Mickoskin”
Kryetari i SDSM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp akuzoi anëtarët e platformës "Biseda për të ardhmen 12:05" se punojnë për interesat e pushtetit dhe synojnë ndarjen e partisë së tij.
Kryetari i SDSM-së, Venko Filipçe, i akuzoi sërish anëtarët e platformës “Biseda për të ardhmen 12:05” se punojnë për interesat e pushtetit dhe se kanë për qëllim ta ndajnë SDSM-në, siç njofton Fokus. Ai e tha këtë në konferencën e sotme për shtyp, i pyetur të komentojë thirrjet e fundit të platformës për bashkimin e opozitës pas zgjedhjeve dhe rënies së pushtetit në Serbinë fqinje.
Filipçe tha se platforma është ftuar në bisedë dhe ende është e ftuar, nëse anëtarët e saj duan të vijnë të bisedojnë, por se, sipas tij, qëllimi i tyre në thelb është ndarja e SDSM-së.
“Ajo platformë ishte e ftuar dhe ende është, nëse duan të vijnë të bisedojmë. Por ky nuk është qëllimi, sepse kur ke qëllim të bisedosh, do të vish të bisedosh; kur ke qëllim ta ndash SDSM-në, këtë do ta bësh dhe ata këtë e bëjnë. I detyrohen Hristijan Mickoskit. Erdhën këtu të bëjnë defokus ditën kur Fon der Lajen erdhi në vend dhe i tha drejtpërdrejt në fytyrë Hristijan Mickoskit se identiteti dhe gjuha janë të mbrojtura. Me këtë ra në ujë gënjeshtra e tij më e madhe e këtyre viteve të fundit. I duhej dikush të bënte defokus. Çfarë shërbimi i turpshëm për një tradhtar të tillë”, deklaroi Filipçe, sipas Fokus.
Në këtë mënyrë, shtoi kryetari i SDSM-së, ata punojnë për një agjendë tradhtare. “Sa të mjerë duhet të jenë ata njerëz që të punojnë për një agjendë të tillë tradhtare? Nuk do t’ua dalë, absolutisht. Të gjithë janë blerë nga pushteti dhe punojnë për interesat e tyre”, tha Filipçe.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.