FILIPINE – Të paktën 76 viktima nga zjarri në traget
MANILA, 12 shtator /ATSH-DPA/- Trupat e pajetë të djegur të 41 personave të tjerë u gjetën sot në një traget pasagjerësh, që u përfshi nga zjarri në pjesën perëndimore të Filipineve, duke e çuar në 76 numrin e viktimave, njoftoi Roja Bregdetare.
“Deri në 13 persona rezultojnë ende të zhdukur pas zjarrit që shpërtheu të enjten në mbrëmje në tragetin “MV June Aster”, deklaroi zëdhënësja e Rojes Bregdetare, komandantja Noemi Cayabyab.
“Ky numër mund të ndryshojë ende, ndërsa vijojnë operacionet për gjetjen dhe identifikimin e trupave”, tha ajo në një deklaratë.
Zëdhënësja bëri të ditur se dje ishin gjetur 30 trupa, ndërsa sot u gjetën edhe 41 të tjerë.
Zjarri u shua rreth 30 orë pas shpërthimit.
Dyzet e tre persona, mes tyre dy turistë kilianë, u shpëtuan pasi arritën të hidheshin nga trageti që po digjej.
Trageti po udhëtonte nga Manila drejt qytetit Coron, në provincën perëndimore të Palawanit, një destinacion i njohur turistik, kur shpërtheu zjarri.
Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar.
Disa të mbijetuar thanë se dëgjuan një shpërthim në hapësirën e ngarkesave të tragetit, i cili u pasua nga tym i dendur dhe flakë.
Sipas të dhënave paraprake, anija transportonte pesë motoçikleta, një automjet elektrik, një pirun ngritës për ngarkesa, një furgon të tipit pikap dhe mallra të nevojshme, si oriz dhe vezë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.