“Flesh Impact” i Maggie Gyllenhaal fiton Best Short Film në TIFF, propozohet për Oscar
– “Flesh Impact”, filmi i shkurtër i regjisores amerikane Maggie Gyllenhaal, është shpallur fitues i çmimit “Best Short Film” në edicionin e 24-t të “Tirana International Film Festival” (TIFF), duke u bërë kështu filmi i propozuar nga TIFF për garën e Oscar-it, në përputhje me rregullat e Academy.
Fitorja u shpall mbrëmjen e sotme në ceremoninë e mbylljes së TIFF 2026, duke i dhënë filmit të Gyllenhaal çmimin më të rëndësishëm të festivalit në kategorinë e filmave të shkurtër.
Një nga veçoritë e rëndësishme të TIFF është statusi i tij si festival kualifikues për Academy Awards® (Oscar). “Tirana International Film Festival – Best Short Film” është i përfshirë në listën zyrtare të çmimeve të festivaleve kualifikuese të Academy. Për këtë arsye, fituesi i këtij çmimi është filmi që TIFF propozon për Oscar, nëse përmbush edhe kriteret e tjera të Akademisë.
Suksesi në Tiranë vjen pas prezantimit të “Flesh Impact” në Festivalin e Venecias, ku filmi u shfaq në programin “Venice Open – Out of Competition”, jashtë garës zyrtare.
Në TIFF, filmi u prezantua në konkurrim, duke shënuar premierën botërore të tij në kuadër të garës së festivalit, përpara se të shpallej fitues i “Best Short Film”.
“Flesh Impact” nis nga një pyetje e pazakontë: çfarë do të kishte ndodhur me Marilyn Monroe nëse do të kishte jetuar deri në moshën 100-vjeçare?
Filmi imagjinon Marilyn-in në një moshë të avancuar, larg imazhit të ikonës së Hollywood-it që publiku ka ruajtur për dekada. Në qendër është një audicion në një teatër të vogël në Nju-Jork, ku një grua e moshuar kërkon një rol dhe, përmes rrëfimit të saj, zbulohet gradualisht historia e saj dhe pesha e një identiteti të ndërtuar nga fama.
Ellen Burstyn, 93 vjeç, interpreton Marilyn-in e imagjinuar në moshën 100-vjeçare, ndërsa Dakota Johnson shfaqet si versioni i saj më i ri.
Përmes këtij rrëfimi, Gyllenhaal prek tema si plakja, kujtesa, identiteti dhe mënyra se si industria e kinemasë i sheh gratë, duke e përdorur Marilyn Monroe jo thjesht si një ikonë të Hollywood-it, por si një pikënisje për të reflektuar mbi atë që mbetet pas mitit.
Pas shpalljes së çmimit, Maggie Gyllenhaal i është drejtuar festivalit dhe publikut të TIFF përmes një video-mesazhi, duke përshëndetur vlerësimin për filmin e saj.
“Faleminderit shumë për këtë çmim, faleminderit jurisë, faleminderit Festivalit. Është vërtet e mrekullueshme, ndihem shumë mirë. Gëzuar ditëlindjen, Marilyn Monroe. Pa të, sigurisht, asnjë prej këtyre nuk do të ishte e mundur.”
Ceremonia e mbylljes vijoi me shpalljen e çmimeve në kategoritë e ndryshme të festivalit.
Në kategorinë Best Director – Full Length Films, juria, e përbërë nga Fatlumë Bunjaku, Giacomo Abbruzzese dhe Ivan Bakrač, vlerësoi Eimi Imanishi për filmin Nomad Shadow, një produksion i SHBA-së, Spanjës dhe Francës.
Ndërsa çmimi Best PerspectIFF – Full Length Films shkoi për “Lust”, me regji të Ralitza Petrova, një produksion i Bullgarisë, Danimarkës dhe Suedisë.
Me edicionin e 24-t, Tirana International Film Festival vijon të konsolidojë profilin e tij në hartën e festivaleve ndërkombëtare të filmit, duke sjellë në Tiranë autorë dhe produksione të rëndësishme të kinemasë bashkëkohore dhe duke krijuar një platformë ku veprat e reja mund të takojnë publikun, juritë ndërkombëtare dhe industrinë e filmit. Statusi i TIFF si festival kualifikues për Academy Awards e forcon më tej këtë rol, duke e vendosur Tiranën në qarkun ndërkombëtar të festivaleve që kontribuojnë në rrugëtimin drejt Oscar-it.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.