Kulluri: Për çdo dy kazanë plehrash në Shqipëri ka një fotograf që filmon pastrimin
I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, analisti Edvin Kulluri teksa po fliste për problematikat që, sipas tij, shoqërojnë qeverisjen në vend, pretendoi se në Tiranë “ka fotografë që filmojnë punëtorët e pastrimit pranë kazanëve të mbeturinave, me qëllim propagandën”.
“Në Shqipëri kemi një përkeqësim të parametrave të qeverisjes. Merr të drejtën e pronës, katastrofë; merr qeverisjen lokale, është bërë një reformë centralizuese si në kohën e komunizmit. Bashkitë s’kanë buxhet, s’mbledhin taksa, ua ka hequr të gjitha. Asnjë vend i BE-së nuk e ka këtë lloj administrate. E dini ju që për çdo kazan plehrash në Tiranë ka fotografë që fotografojnë pastruesit për të bërë propagandë? Kush i paguan këta njerëz? Taksat tona. Dilni dhe shihni. Unë nuk di të gënjej. Kur them një për çdo kazan, e kam fjalën për çdo pesë kazanë paguhen fotografë. I ke te Lulishtja e Parlamentit, fotografojnë punëtorët e bashkisë duke pastruar kazanët e plehrave, duke prerë barin, vetëm për propagandë. Ku ka qeveri në botë që paguan një ushtri me mijëra njerëz për të bërë video dhe për të bërë propagandë? Nuk ekziston kjo gjë në vend demokratik”, tha Kulluri.
Ndërkohë, në një lidhje live nga Brukseli, gazetari Julian Kasapi solli një shembull nga një eksperiencë e tij gjatë kohës kur ishte në Ekuador për një dokumentar. Sipas tij, edhe atje kishte parë një situatë të ngjashme.
“Në Ekuador kishte një fotograf dhe dy punëtorë. Fotografi bënte foto nga kënde të ndryshme për t’i postuar në rrjetet sociale”, tha Kasapi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.