FOKUS – Alarm sigurie në bazat amerikane në Britani të Madhe, raportohen dronë mbi “RAF Lakenheath”
– Një alarm i ri sigurie është regjistruar në Britaninë e Madhe, pasi një aktivitet i dyshimtë me dronë u raportua mbi bazën ushtarake “RAF Lakenheath”, në lindje të Anglisë, ku janë të dislokuara forcat ajrore amerikane, raportoi “Reuters”.
Forcat e sigurisë të Forcave Ajrore të SHBA-së ndërhynë mbrëmjen e djeshme, pas raportimeve për praninë e dronëve të paautorizuar mbi instalimet ushtarake.
Sipas një zëdhënësi të Forcave Ajrore amerikane, nga incidenti nuk u prek asnjë personel ushtarak, avion apo infrastrukturë e bazës.
Personelit në bazë iu kërkua të qëndronte në ambiente të mbrojtura, ndërsa autoritetet amerikane dhe britanike nisën bashkëpunimin për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.
Ministria britanike e Mbrojtjes konfirmoi se forcat amerikane të sigurisë, kishin reaguar ndaj raportimeve për aktivitet të paautorizuar me dronë dhe se situata ishte vënë nën kontroll.
“Po punojmë ngushtë me autoritetet e vendit pritës për të garantuar sigurinë e personelit tonë ushtarak, civilëve, kontraktorëve dhe familjeve të tyre”, deklaroi zëdhënësi amerikan.
Ndërkohë, një përfaqësues i Ministrisë britanike të Mbrojtjes bëri të ditur se autoritetet po bashkëpunojnë me palën amerikane, për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe se do të ketë informacione të tjera në vijim.
Deputeti britanik i zonës, Nick Timothy, deklaroi se ishte informuar nga autoritetet se nuk kishte më rrezik për publikun dhe se incidenti ishte zgjidhur.
Ngjarja vjen në një periudhë të shtimit të masave të sigurisë, në bazat ushtarake amerikane në Britaninë e Madhe, pas disa episodeve të mëparshme që kanë ngritur shqetësime për kërcënime të mundshme ndaj instalimeve ushtarake.
Vetëm pak ditë më parë, ushtria amerikane zhvendosi më shumë se një duzinë avionësh nga baza “RAF Mildenhall”, gjithashtu në Suffolk, pas raportimeve për një kërcënim të mundshëm të sigurisë.
Ndërsa në shtator, SHBA-ja tërhoqi bombarduesit nga baza “RAF Fairford”, pasi disa persona të dyshuar iu afruan instalimit ushtarak me automjete.
Dy persona janë akuzuar më pas në lidhje me atë incident, ndërsa prokuroria britanike ka ngritur pretendime, për përpjekje për të ndihmuar shërbimet iraniane të inteligjencës.
Sipas raportimeve të medias amerikane, zhvendosja e disa avionëve furnizues me karburant nga Britania e Madhe drejt Gjermanisë, ishte gjithashtu e lidhur me shqetësimet për kërcënime të mundshme nga Irani.
Shefi i shërbimit britanik të inteligjencës së brendshme kishte paralajmëruar më herët për shtimin e përpjekjeve të Iranit, për të shënjestruar objekte më të mbrojtura, përfshirë instalimet ushtarake në Britani të Madhe.
Teherani ka mohuar përfshirjen në incidentet e mëparshme dhe akuzat për aktivitete të paligjshme në territorin britanik.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur se kush qëndron pas aktivitetit të fundit me dronë, nga kanë ardhur ata apo nëse incidenti lidhet me kërcënimet e mëparshme.
Baza “RAF Lakenheath” është një nga instalimet kryesore të Forcave Ajrore amerikane në Evropë dhe strehon avionë luftarakë F-35 dhe F-15.
Hetimet nga autoritetet amerikane dhe britanike vijojnë për të përcaktuar origjinën dhe natyrën e aktivitetit të dyshimtë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.