Komunikatë e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste
Për demaskimin e veprimtarisë antiparti, goditjen e grupazheve fraksioniste dhe forcimin e unitetit monolit të Partisë

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e mbledhur nën udhëheqjen largpamëse të LIDERIT të saj, pasi analizoi me frymë të lartë revolucionare veprimtarinë e elementëve Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca, konstatoi shfaqje të rënda të oportunizmit, liberalizmit borgjez, disfatizmit, veprimtarisë fraksioniste, frymës së grupazheve dhe devijimit nga vija e drejtë e PS.
Të sipërpërmendurit, duke shpërdoruar besimin e madh që u kishte dhënë Partia dhe Udhëheqësi, kanë shfaqur qëndrime antiparti, kanë dobësuar luftën e klasave, kanë hedhur baltë mbi udhëheqjen dhe kanë çuar ujë në mullirin e reaksionit të brendshëm e të jashtëm.
Asambleja dënoi me vendosmërinë më të madhe veprimtarinë fraksioniste të këtyre elementëve, të cilët, nën maskën e mendimit ndryshe dhe demokracisë së brendshme kanë tentuar të krijojnë rryma, grupazhe dhe qendra alternative ndikimi, duke minuar unitetin e çelikte PS- Popull.
Asambleja vëren me shqetësim se pas këtyre shfaqjeve nuk përjashtohet ndikimi i qarqeve të caktuara të huaja, të cilat, nën petkun e miqësisë, bashkëpunimit dhe këshillave dashamirëse, përpiqen të fusin hundët në punët e brendshme të PS.
Në analizën e saj të thellë, Asambleja evidentoi me prova të pakontestueshme edhe akte të rënda sabotimi politik e ideologjik kundër nismave madhore të Partisë: BESA, Prania Besnike, Pasqyrë Albania dhe Amaneti.
Këto vepra madhështore të mendimit krijues të udhëheqjes, të konceptuara për të forcuar lidhjen e pandashme PS-Popull, janë ndeshur me indiferencën, skepticizmin dhe frymën kapitulluese të elementëve të lëkundur.
Në vend që të mobilizonin masat për realizimin e tyre, këta elementë kanë lejuar që BESA të vihet në dyshim, Prania Besnike të mos ndihet sa duhet, Pasqyrë Albania të mos pasqyrojë arritjet dhe Amaneti të interpretohet sipas dëshirës së gjithsecilit.
Të sabotohen njëkohësisht BESA, Prania Besnike, Pasqyrë Albania dhe Amaneti nuk është më gabim politik, është përpjekje për të goditur të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e PS!
Nuk përjashtohet që dora e reaksionit të jashtëm të jetë zgjatur deri në gjirin e Partisë, ndërsa gishti i reaksionit të brendshëm të jetë drejtuar nga protesta.
Asambleja Kombëtare thekson se rastësitë nuk ekzistojnë në luftën e klasave. Kur armiku ngre kokën në rrugë dhe sheshe dhe elementët e lëkundur shfaqin pakënaqësi në sallat e Partisë, vigjilenca revolucionare bëhet detyrë e çdo socialisti të ndershëm.
Syrit vigjilent të PS nuk i shpëton asgjë!
Në këtë kuadër, Asambleja përshëndeti frymën e lartë të kritikës dhe autokritikës, falë së cilës problemet e lindura në gjirin e Partisë u shqyrtuan, u analizuan dhe u sqaruan përfundimisht në Gjirin e Lalzit.
Ky zhvillim përbën një arritje të re të demokracisë së brendshme socialiste, duke dëshmuar se PS është e aftë t’i zgjidhë vetë kontradiktat e saj.
PS di të dallojë armikun e jashtëm, armikun e brendshëm dhe, mbi të gjitha, armikun që deri dje ishte në Kryesi.
Asambleja vendosi largimin e elementëve të sipërpërmendur nga forumet drejtuese, duke u dhënë mundësinë të mbeten anëtarë të thjeshtë, të reflektojnë thellë, të bëjnë autokritikë dhe të dëshmojnë me punë e vepra besnikërinë ndaj vijës së PS dhe udhëheqjes së saj.
Në këtë frymë, Asambleja vlerësoi lart zemërgjerësinë e jashtëzakonshme të Liderit ndaj shokut Erion Veliaj, të cilit, në vend të një dënimi të nxituar politik, iu la koha dhe qetësia e nevojshme për një reflektim të thellë në qelitë e Fierit.
Ky qëndrim dëshmon edhe një herë humanizmin e udhëheqjes sonë: PS nuk i braktis bijtë e saj, edhe kur ata ndodhen pas hekurave. Ajo u jep kohë të mendojnë, madje ua siguron edhe vetminë aq të nevojshme për autokritikë.
Asambleja Kombëtare u bën thirrje organeve të SPAK-ut dhe SHISH-it të rrisin vigjilencën dhe eficensen.
Mbetet e pashpjegueshme përse veprimtarinë armiqësore, lidhjet me reaksionin dhe devijimet nga vija e PS nuk arrijnë t’i zbulojnë organet e specializuara të shtetit, por vetëm syri vigjilent i udhëheqjes.
A janë SPAK-u dhe SHISH-i në lartësinë e detyrës, apo duhet të mësojnë nga PS si zbulohen armiqtë e popullit?
Asambleja Kombëtare siguron popullin se asnjë intrigë e reaksionit, asnjë veprimtari antiparti, asnjë protestë dhe asnjë ndërhyrje e qarqeve të huaja nuk mund ta lëkundë marshimin tonë historik drejt Bashkimit Europian.
Nga kjo luftë parimore kundër elementëve të lëkundur, PS del më e pastër, më e fortë, më e bashkuar dhe më vigjilente se kurrë.
Rroftë rruga jonë e lavdishme drejt Bashkimit Europian!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.