FOKUS – Aroma e babait ndihmon zhvillimin e trurit të të porsalindurit
SIATËLL (SHBA), 23 gusht /ATSH-ANSA/ – Era trupore e babait mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e trurit të foshnjave, duke ndihmuar proceset e të mësuarit dhe ndërveprimin social.
Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga studiues të Universitetit të Uashingtonit në Siatëll dhe të publikuar sot në revistën shkencore “Science Advances”.
Studiuesit, të cilët prej vitesh kanë analizuar ndikimin e aromës së nënës te zhvillimi i fëmijës, u përqendruan këtë herë te sinjalet e nuhatjes që vijnë nga babai.
Në studim morën pjesë 40 foshnja dhe baballarët e tyre.
Aktiviteti i trurit të tyre u monitorua gjatë ndërveprimeve normale, si dhe gjatë ndërveprimit të foshnjave me burra të panjohur.
Përmes elektroencefalografisë së njëkohshme, studiuesit regjistruan aktivitetin e trurit të të rriturit dhe foshnjës në të njëjtën kohë.
Rezultatet treguan se valët e trurit të foshnjave ishin më të sinkronizuara me ato të baballarëve sesa me ato të burrave të panjohur.
Por rezultati ndryshoi kur burrave të panjohur iu kërkua të vishnin një bluzë të ngopur me aromën trupore të babait të foshnjës.
Në këtë rast, sinkronizimi i aktivitetit të trurit u rrit dhe arriti nivele të ngjashme me ato të vërejtura gjatë ndërveprimit të drejtpërdrejtë me babanë.
Sipas studiuesve, valët e trurit të përfshira në këtë proces lidhen me rregullimin e vëmendjes së kontrolluar.
Kjo sugjeron se sinjalet e nuhatjes nga babai mund të lehtësojnë ndërveprimin social dhe të krijojnë kushte më të favorshme për të mësuar.
Studimi sugjeron gjithashtu se baballarët mund të kontribuojnë në maturimin e trurit të foshnjave duke forcuar lidhjet mes dy hemisferave cerebrale, veçanërisht përmes valëve alfa, të cilat lidhen me rregullimin e vëmendjes gjatë ndërveprimeve sociale.
Studiuesit mendojnë se aroma e babait mund të aktivizojë gjithashtu mekanizma të të mësuarit asociativ, duke ndihmuar zhvillimin gradual të aftësive më komplekse nervore dhe të sjelljes te foshnjat./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.