Gruri vendas mbetet stok në Maliq, fermerët: Kemi 400 kuintal pa shitur
Në Maliq, tonelata grurë kanë mbetur pa shitur në magazina, ndërsa fermerët thonë se çmimi aktual prej 25 lekësh për kilogram nuk mbulon as koston e prodhimit.
Në Maliq, tonelata grurë vendas kanë mbetur stok në magazina, pa gjetur blerës, siç njofton Shqiptarja.com. Fermerët e zonës thonë se po presin një rritje të çmimit, pasi çmimi aktual prej 25 lekësh për kilogram nuk mbulon as koston e prodhimit.
Fermeri Hysen Domi tregon se ka 400 kuintal grurë të pashitur dhe paralajmëron se prodhimi rrezikon të prishet nëse nuk shitet deri në dhjetor. Sipas tij, një hektar jep 7 deri në 8 tonë grurë, por pa një treg ku të shitet, puna e një viti mbetet e bllokuar në magazinë.
Fermeri Fitim Mero thotë se një çmim prej 40 lekësh për kilogram do të ishte i përballueshëm për prodhuesit vendas. Ai vëren se në tregun shqiptar gruri i importuar blihet me 23 lekë për kilogram dhe vjen nga Serbia, Ukraina dhe Maqedonia e Veriut, me çmime më të ulëta se gruri vendas.
Sipas fermerëve, prodhimi shqiptar i grurit mjafton për nevojat e vendit, por mungon tregu ku ai të shitet. Ata theksojnë se gruri vendas është me cilësi të mirë, megjithatë këtë vit fusha e Maliqit u mboll kryesisht me luledielli dhe elb, ndërsa gruri u mboll vetëm në rreth 50 hektarë, pasi kultura e grurit u sëmur.
Domi sugjeron që shteti të mbledhë grurin vendas, një hap që, sipas tij, do t’u vinte në ndihmë fermerëve dhe do të ndihmonte edhe rezervat e vendit në kohë krize.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.