FOKUS – Bie çmimi i naftës pas sinjaleve për zgjidhje diplomatike të konfliktit SHBA-Iran
NJU JORK, 2 nëntor /ATSH-DPA/- Çmimet e naftës ranë ndjeshëm sot, pas publikimit të një lajmi se presidenti amerikan, Donald Trump po përpiqet të zgjidhë konfliktin me Iranin përmes bisedimeve diplomatike.
Ky lajm ka ulur frikën se SHBA-ja mund të rifillojë sulmet ushtarake ndaj Iranit në ditët e ardhshme.
Në orët e para të mëngjesit, nafta “Brent”, një nga llojet kryesore të naftës që përdoret si pikë reference për çmimet në tregun botëror, ra me rreth 3%, duke zbritur në 110 dollarë për fuçi.
Një fuçi nafte përmban 159 litra. Të premten, çmimi i saj kishte arritur në afro 118 dollarë.
Ndërkohë, grupi OPEC+, ku bëjnë pjesë vendet kryesore prodhuese të naftës, vendosi gjatë fundjavës të mos ndryshojë sasinë e naftës, që vendet anëtare lejohen të nxjerrin në treg gjatë muajit dhjetor.
Ky vendim vjen pasi grupi kishte hequr që në shtator disa nga kufizimet vullnetare për prodhimin e naftës, duke lejuar rritjen e tij.
Megjithatë, vendimi për të mos ndryshuar prodhimin ka më shumë vlerë si deklaratë, pasi lufta në Iran vazhdon të ndikojë në tregun e naftës.
Përplasjet në Lindjen e Mesme, përfshirë sulmet në Detin e Kuq, vazhdojnë të rrezikojnë transportin e naftës dhe funksionimin e objekteve të prodhimit në rajon. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.