FOKUS – BM-ja dhe Gjermania partneritet të ri sigurie kundër kërcënimeve hibride
LONDËR, 8 tetor /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Andy Burnham do të udhëtojë sot në Berlin, ku do të zhvillojë takimin e parë ballë për ballë me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
Dy liderët do të nisin një partneritet të ri të përbashkët për sigurinë, me qëllim përballimin e sabotimeve, sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve të tjera hibride nga shtetet kundërshtare, veçanërisht nga Rusia.
Kërcënime hibride do të thotë veprime që një shtet mund të përdorë për të dëmtuar ose destabilizuar një vend, pa zhvilluar domosdoshmërisht një luftë të drejtpërdrejtë.
Për shembull, këtu përfshihen sulmet kibernetike, sabotimi i infrastrukturës, ndërhyrjet në sisteme të rëndësishme dhe forma të tjera presioni.
Partneriteti i ri do të përfshijë shkëmbimin e informacionit dhe bashkërendimin e veprimeve për të zbuluar, parandaluar dhe penguar këto kërcënime.
Dy vendet do të punojnë gjithashtu, për të forcuar mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si rrjetet e energjisë, komunikimit, transportit dhe sisteme të tjera të rëndësishme për funksionimin e vendit.
Burnham dhe Merz do të diskutojnë gjithashtu mbështetjen për Ukrainën, mënyrën se si duhet reaguar ndaj paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme, si dhe pasojat e problemeve që kanë prekur rrugët tregtare ndërkombëtare, siç është Ngushtica e Hormuzit.
Dy liderët do të zhvillojnë gjithashtu një Forum Rajonal për Rritjen Ekonomike BM-Gjermani, ku do të marrin pjesë drejtues të kompanive të mëdha britanike dhe gjermane.
Forumi do të fokusohet në rritjen e investimeve, forcimin e bashkëpunimit industrial dhe sigurimin, që përfitimet nga rritja ekonomike të ndihen nga komunitetet në të dyja vendet.
Traktati i Kensingtonit, i nënshkruar në korrik të vitit të kaluar, do të ratifikohet sot zyrtarisht.
Kjo do të thotë se të dyja vendet do ta miratojnë zyrtarisht marrëveshjen, duke u angazhuar për bashkëpunim më të thellë në shkencë, teknologji, mbrojtje, siguri dhe zhvillim ekonomik.
“Sulmet ndaj infrastrukturës sonë, bizneseve tona dhe demokracive tona nuk janë një kërcënim i largët”, tha Burnham para vizitës.
Ai shtoi se këto sulme prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve, shtëpitë dhe vendet e punës, dhe synojnë t’i bëjnë shoqëritë më të dobëta dhe më të përçara.
“Britania e Madhe dhe Gjermania po bashkojnë forcat për ta zbuluar, ekspozuar dhe penguar këtë veprimtari”, tha ai.
Sipas Burnham, siguria dhe rritja ekonomike janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe të dyja duhet të sjellin përfitime për njerëzit në qytetet dhe komunitetet e të dy vendeve. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.