FOKUS – Bremerhaven bëhet port strategjik i NATO-s, Gjermania investon 1,5 miliardë euro
BREMEN, 29 shtator /ATSH-DPA/- Gjermania ka përfunduar planet për modernizimin e portit të Detit të Veriut në Bremerhaven, i cili do të shërbejë si një pikë kyçe për NATO-n, në rast të një emergjence ushtarake.
Për këtë projekt do të investohen rreth 1,5 miliardë euro.
Bremerhaven, rreth 60 kilometra në veri të Bremenit, do të përgatitet për transportin dhe dislokimin e shpejtë të trupave dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s, në rast të një sulmi ndaj aleancës.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius nënshkroi sot në Bremen, një marrëveshje për projektin, pas disa muajsh negociatash mes qeverisë federale, ushtrisë gjermane dhe autoriteteve të landit Bremen.
Qeveria federale do të investojë 1,35 miliardë euro deri në vitin 2031, ndërsa landi Bremen do të kontribuojë me 200 milionë euro.
Pjesa tjetër mund të vijë nga investitorë privatë.
Punimet pritet të nisin këtë vit dhe të përfundojnë në 2031.
Do të ndërtohet një urë e re për mjete të rënda, do të përforcohen zona të portit dhe do të përmirësohen lidhjet me rrugë dhe hekurudhë.
Gjithashtu, do të thellohen basenet e portit, do të ndërtohet një stacion i ri zjarrfikës dhe do të zgjerohen hapësirat logjistike në aeroportin e Bremenit.
Pistorius tha se porti do të jetë veçanërisht i rëndësishëm në rast të një sulmi ndaj NATO-s, pasi dhjetëra mijëra ushtarë do të kenë nevojë për akomodim dhe furnizime, ndërsa pajisjet ushtarake që mbërrijnë nga vendet aleate duhet të transportohen më tej me rrugë, hekurudha dhe ura.
Gjermania planifikon edhe një port të dytë ushtarak
Në të njëjtën kohë, Gjermania po shqyrton ndërtimin e një porti të dytë për marinën ushtarake në qytetin Emden, në Detin e Veriut.
Aktualisht, marina gjermane ka vetëm një port kryesor, në Wilhelmshaven, pranë Bremerhavenit.
Sipas burimeve, ushtria po kërkon në Emden një sipërfaqe prej rreth 40 hektarësh, me mundësi zgjerimi edhe me 10 hektarë.
Porti i ri do të mund të presë shtatë fregata, 10 anije për pastrimin e minave dhe 10 rimorkiatorë, ndërsa aty do të punësoheshin mijëra pjesëtarë të personelit ushtarak dhe civil.
Ministri Pistorius pritet të vizitojë Emdenin më 5 tetor, së bashku me kryeministrin e Saksonisë së Ulët, për të diskutuar hapat e ardhshëm për një bazë të mundshme të re detare. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.