FOKUS – Diplomatë të BE-së dyshohet se janë sulmuar nga kolonë izraelitë
TEL AVIV, 18 tetor /ATSH-DPA/- Një grup kolonësh izraelitë kanë sulmuar automjetet me të cilat udhëtonin diplomatë evropianë në Bregun Perëndimor.
Sipas tij, dëshmitarët okularë kanë treguar se shtatë burra të maskuar rrethuan një automjet diplomatik me automjetet e tyre fuoristradë.
Ata kërkuan dokumentet e identifikimit dhe më pas thyen një xham të automjetit. Në pamjet filmike shihet një diplomat i shtrirë në tokë.
Ngjarja ndodhi gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve, pranë fshatit Taybeh.
Në një deklaratë, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi ngjarjen si një sulm të pretenduar ndaj diplomatëve evropianë, por paralajmëroi se akuzat kërkojnë prova serioze.
“U bëjmë thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes përpara se të nxjerrin përfundime nga raportimet e sotme, se diplomatë evropianë janë sulmuar nga izraelitë të maskuar”, thuhej në deklaratë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, dënoi atë që e cilësoi si akte të rënda dhune nga persona izraelitë të përfshirë në trazira në zonën e Taybeh.
“Autoritetet e zbatimit të ligjit po punojnë për të identifikuar sulmuesit dhe për t’i nxjerrë ata para drejtësisë”, tha ai.
Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, e dënoi sulmin me termat më të ashpër.
Në një reagim në X, ai shkroi se autoritetet izraelite, si fuqi pushtuese, duhet të mbrojnë palestinezët, të garantojnë sigurinë e diplomatëve dhe gazetarëve dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.
“Pandëshkueshmëria e kolonëve të dhunshëm duhet të marrë fund”, theksoi ai.
Prévot bëri të ditur se mes personave që u sulmuan ishte edhe konsulli i përgjithshëm belg.
Edhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se një kryetar bashkie francez ishte sulmuar me dhunë nga kolonë ekstremistë në Bregun Perëndimor.
“Autoritetet izraelite duhet patjetër t’i arrestojnë përgjegjësit për këto akte të papranueshme dhe t’i nxjerrin para drejtësisë”, shkroi Barrot.
Ai shtoi se autoritetet duhet t’u japin fund urgjentisht këtyre akteve kriminale të dhunës dhe të garantojnë sigurinë e popullsisë civile, siç i detyron e drejta ndërkombëtare.
Ky incident vjen një ditë pas një tjetër episodi dhune, të premten, kur kolonë izraelitë sulmuan fshatarë palestinezë që po mblidhnin ullinj pranë fshatit Abu Falah, në Bregun Perëndimor.
Fotoreporterja e gazetës amerikane “The Washington Post”, Heidi Levine, mbeti e plagosur gjatë sulmit, megjithëse mbante një jelek mbrojtës ku fjala “PRESS” (SHTYPI) ishte e shkruar qartë në pjesën e përparme dhe të pasme.
Sipas gazetës, fotografja amerikane u rrëzua përtokë dhe u godit vazhdimisht me shqelma. Sulmuesit i morën gjithashtu telefonin dhe aparatin fotografik.
Levine u trajtua në spitalet në Ramallah dhe në Izrael, për plagë në pjesë të ndryshme të trupit, një brinjë të thyer dhe katër rruaza të thyera të shtyllës kurrizore, raportoi “The Washington Post”.
Gazeta shtoi se fotografes iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në dorë, pasi një gisht iu ça rëndë, duke bërë që kocka të ekspozohej.
Sipas gazetës, dhjetëra kolonë izraelitë të maskuar sulmuan fshatarët palestinezë, hodhën gurë dhe u vunë zjarrin ullishteve.
Në një deklaratë të publikuar në X, Netanyahu tha se rrethanat e përplasjes gjatë së cilës Levine dyshohet se u sulmua, nuk ishin ende të qarta dhe se ngjarja do të hetohej. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.