FOKUS – Flakët pushtojnë jugperëndimin e Francës, evakuohen gati 200 mijë banorë dhe turistë
– Zjarret masive në jugperëndim të Francës kanë shkaktuar një nga operacionet më të mëdha të evakuimit në historinë e vendit, ndërsa dhjetëra mijëra banorë dhe turistë janë detyruar të largohen nga zonat e rrezikuara, njoftuan sot autoritetet.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, bëri të ditur se deri tani janë evakuuar 167 mijë persona në departamentin Gironde.
Vetëm gjatë natës, 57 mijë banorë u zhvendosën në zona të sigurta nga disa komuna përreth qytetit të Bordosë.
Sipas tij, edhe 31 mijë persona të tjerë në rajonin fqinj Landes janë detyruar të lënë shtëpitë për shkak të përhapjes së flakëve.
Mes të evakuuarve ka shumë pushues nga zona bregdetare e Bassin d’Arcachon, një destinacion i njohur turistik.
Në disa zona, përfshirë gadishullin Cap Ferret, njerëzit u transportuan drejt vendeve të sigurta me anije.
Për shkak të përkeqësimit të situatës, Franca po forcon mbështetjen për shërbimet zjarrfikëse.
Kryeministri Sébastien Lecornu njoftoi, pas mbledhjes së njësisë ndërministrore të krizës, se numri i ushtarëve që ndihmojnë në operacionet kundër zjarreve do të rritet nga 500 në 1 000.
Gjithashtu do të angazhohet një avion ushtarak A400M, i pajisur me një sistem të posaçëm për shuarjen e zjarreve, i aftë të hedhë deri në 20 tonë lëndë ngadalësuese të flakëve.
Lecornu bëri të ditur gjithashtu se në departamentin Gironde po dërgohen 1,5 milionë maska FFP2, për të mbrojtur ekipet e emergjencës dhe qytetarët nga tymi i dendur dhe i dëmshëm.
Sipas autoriteteve, zjarri i madh që ka shpërthyer në Gironde, që prej së mërkurës ka përfshirë tashmë rreth 19 mijë hektarë, një sipërfaqe më e madhe se ajo e Parisit.
Rreth 100 ndërtesa janë shkatërruar, ndërsa era e fortë e tymit ka arritur deri në qytetin e Bordosë.
Autoritetet e kanë cilësuar këtë si zjarrin me përmasa të paprecedenta.
Më shumë se 1 200 zjarrfikës janë angazhuar në terren.
Për shkak të ndryshimit të drejtimit të erës, flakët po përhapen tani drejt lindjes, në drejtim të zonës së gjerë metropolitane të Bordosë.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar ndihmë nga partnerët e Bashkimit Evropian për sigurimin e mjeteve shtesë ajrore për luftën kundër zjarreve.
Zjarrfikësit po përballen edhe me vatra të tjera zjarri në rajone të ndryshme të Francës, përfshirë Var dhe ishullin e Korsikës.
Ndërkohë, edhe Italia po përballet me dhjetëra zjarre.
Më të goditura janë ishulli i Siçilisë dhe rajoni i Kalabrisë, ku vetëm në Siçili janë raportuar disa dhjetëra vatra zjarri.
Autoritetet druhen se situata mund të përkeqësohet më tej për shkak të një vale të re të nxehti.
Flakët po ushqehen vazhdimisht edhe nga era e nxehtë Scirocco, e cila fryn nga Afrika. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.