UASHINGTON – Trump njofton investime prej 200 miliardë dollarësh të Koresë së Jugut në SHBA
– Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi sot se Koreja e Jugut do të investojë deri në 200 miliardë dollarë në projekte strategjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht në sektorin e energjisë, raportoi “Reuters”.
Paketa është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë prej 350 miliardë dollarësh mes Uashingtonit dhe Seulit.
Nga kjo shumë, 150 miliardë dollarë janë parashikuar për sektorin e ndërtimit të anijeve, ndërsa 200 miliardë dollarë për investime strategjike në SHBA.
Sipas njoftimit, projektet kryesore përfshijnë tetë reaktorë të mëdhenj bërthamorë, një termocentral me gaz në Teksas dhe projektin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Alaskë.
Rreth 120 miliardë dollarë do të përdoren për ndërtimin e tetë reaktorëve të mëdhenj bërthamorë në SHBA.
Projekti synon të rrisë prodhimin e energjisë elektrike, në një kohë kur kërkesa po rritet, veçanërisht nga qendrat e të dhënave dhe industria.
Koreja e Jugut ka konfirmuar gjithashtu një investim prej 22,3 miliardë dollarësh në një termocentral me gaz në Teksas, me kapacitet mbi 6 gigavat.
Termocentrali pritet të furnizojë me energji objekte që konsumojnë shumë elektricitet, përfshirë qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale dhe fabrikat e prodhimit të çipave elektronikë.
Një tjetër pjesë e paketës me vlerë rreth 54 miliardë dollarë, do të përdoret për projektin “Alaska LNG”, i cili parashikon ndërtimin e një tubacioni rreth 1,300 kilometra për transportimin e gazit natyror nga veriu i Alaskës drejt një terminali eksporti në jug të shtetit.
Projekti synon të transportojë rreth 3,9 miliardë këmbë kub gaz në ditë dhe të prodhojë deri në 20 milionë tonë LNG në vit.
Njoftimi i Trump përfaqëson paketën e parë të projekteve të mëdha, që po konkretizohen nga marrëveshja prej 350 miliardë dollarësh e arritur mes dy vendeve. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.