FOKUS – Italia dhe Spanja heqin kontrollet kufitare pas mosmarrëveshjes për emigracionin në Ceuta
– Italia dhe Spanja kanë rënë dakord të heqin kontrollet kufitare ndaj qytetarëve të njëra-tjetrës, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje tre mujore, të shkaktuar nga mbërritja masive e emigrantëve në Ceuta, një territor spanjoll në Afrikën e Veriut, njoftoi sot Ministria e Brendshme italiane, sipas “Reuters”.
Qeveria e djathtë e Italisë pezulloi marrëveshjet për lëvizjen e lirë me Spanjën më 31 korrik, duke deklaruar se synonte të sigurohej që emigrantët që mbërrinin në Ceuta, të mos udhëtonin më tej drejt territorit italian.
Spanja reagoi duke vendosur masa të ngjashme ndaj Italisë.
Madridi i cilësoi masat italiane si të padrejta, në kundërshtim me interesat e Bashkimit Evropian dhe diskriminuese ndaj popullsisë spanjolle.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme italiane, ministrat e Brendshëm të të dy vendeve zhvilluan një bisedë telefonike dhe ranë dakord të mos i zgjasin kufizimet, që kishin pezulluar zbatimin e marrëveshjeve të zonës Shengen, për lëvizjen pa kontrolle të zakonshme kufitare.
Ministria italiane bëri të ditur se vendimi u mor pas një vlerësimi të kujdesshëm të situatës.
Ajo shtoi se marrëveshja do të shoqërohet me shkëmbim më të madh informacioni mes dy vendeve, me qëllim garantimin e sigurisë në zonën e përbashkët Shengen. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.