FOKUS – Kina: Kombet janë të lira të zgjedhin modelet e IA-së që duan
PEKIN, 19 gusht /ATSH -AA/ – Kina ka deklaruar se vendet kanë të drejtë të zgjedhin në mënyrë të pavarur partnerët dhe modelet e inteligjencës artificiale sipas kushteve kombëtare dhe nevojave të tyre zhvillimore, ndërsa kundërshtoi atë që e quajti “përballje blloqesh” në këtë sektor.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me raportimet se qeveria amerikane planifikon t’u dërgojë letër vendeve që kanë nënshkruar “Deklaratën Amerikane për Mundësitë në Inteligjencën Artificiale”, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lin Jian, paralajmëroi të mos i bashkohen nismave që Washingtoni i konsideron të papajtueshme me kërkesat e tij dhe theksoi se inteligjenca artificiale është fryt i mençurisë kolektive dhe një pasuri e përbashkët e gjithë njerëzimit.
Ai tha se bashkëpunimi i gjerë ndërkombëtar në fushën e inteligjencës artificiale është një pritshmëri e përbashkët dhe se çdo vend duhet të jetë i lirë të vendosë vetë me kë bashkëpunon.
“Të gjitha vendet kanë të drejtë të vendosin vetë se me kë dëshirojnë të bashkëpunojnë, sipas kushteve të tyre kombëtare dhe nevojave të zhvillimit”, u tha Lin gazetarëve në Pekin.
Kina, shtoi ai, “kundërshton me vendosmëri detyrimin e vendeve për të zgjedhur anë ose krijimin e një përballje blloqesh në inteligjencën artificiale”.
Lin u bëri thirrje të gjitha palëve të heqin dorë nga ajo që e quajti mentalitet me rezultat zero dhe në vend të kësaj të promovojnë bashkëpunimin në zhvillimin dhe qeverisjen e inteligjencës artificiale.
“Shpresojmë që të gjitha palët të heqin dorë nga mentaliteti me rezultat zero, të mbështesin solidaritetin, të respektojnë sovranitetin digjital të të gjitha vendeve dhe të ndërtojnë një sistem të drejtë dhe të barabartë për qeverisjen globale të inteligjencës artificiale”, tha ai.
Sipas tij, një qasje e tillë do të ndihmonte që inteligjenca artificiale të bëhej “një nxitës i rëndësishëm për prosperitetin e përbashkët dhe sigurinë e përbashkët”.
Muajin e kaluar, 29 vende nënshkruan në Shangai një marrëveshje për themelimin e Organizatës Botërore për Bashkëpunim në Inteligjencën Artificiale (WAICO).



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.