PARIS – Sërish shtetrrethim në disa zona pas akteve të dhunës dhe plaçkitjeve
PARIS, 21 tetor /ATSH-AFP/ – Autoritetet franceze kanë vendosur një shtetrrethim të ri për natën e sotme deri nesër, nga ora 23:00 deri në 06:00, në disa zona të Parisit, përfshirë sheshin e Republikës.
Masa vjen pas akteve të dhunës dhe plaçkitjeve të regjistruara gjatë fundjavës, në kuadër të mobilizimit shoqëror, sipas një urdhri të prefekturës së policisë.
Prefektura ka ndaluar gjithashtu çdo grumbullim të padeklaruar nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme deri në orën 06:00 të së enjtes.
Ndalimi përfshin zonat përreth Pallatit Elyse, Asamblesë Kombëtare, Senatit, bulevardit ”Champs-Elyses” si dhe stacioneve hekurudhore.
Kjo është nata e tretë radhazi që autoritetet zbatojnë masa të tilla, në përputhje me udhëzimet e kryeministrit Sebastien Lecornu dhe ministrit të Brendshëm Laurent Nunez drejtuar prefektëve në të gjithë vendin.
Shtetrrethim ishte vendosur edhe në qendër të Lionit gjatë netëve të së hënës dhe të së martës, ndërsa në Marsejë masat janë kufizuar te të miturit në disa lagje, përfshirë zonën qendrore të qytetit.
Në Paris, masat e sotme zbatohen si për të miturit, ashtu edhe për të rriturit.
Urdhri ndalon rreptësisht praninë e personave në disa perimetra të kufizuar të sheshit të Republikës dhe zonës së Halles.
Për zbatimin e masave është angazhuar një numër i shtuar forcash policore, me mbështetjen e një helikopteri të xhandarmërisë kombëtare.
Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi se shtetrrethimi kishte dhënë rezultate gjatë natës së parë, nga e hëna në të martë.
Sipas saj, nata e kaluar ishte veçanërisht e qetë në zonën metropolitane të Parisit.
Kryetari i Bashkisë së Parisit, Emmanuel Gregoire, shprehu mbështetjen për kërkesën e banorëve për rikthimin e qetësisë, por theksoi karakterin e jashtëzakonshëm të masës.
Ndërkohë, të Gjelbrit e Parisit, pjesë e shumicës bashkiake, e kritikuan vendimin, duke e cilësuar atë si një cenim të rëndë të lirive publike./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.