FOKUS – Moska intesifikon sulmet ndaj Kievit: Diplomatët dhe të huajt të largohen
KIEV, 4 tetor /ATSH-ANSA/ – Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, ndërsa përplasja mes Moskës dhe Kievit po përqendrohet gjithnjë e më shumë edhe te infrastruktura jetike dhe rrjeti energjetik, në prag të dimrit.
Një nga objektivat e fundit ishte Ura Veriore e Kievit, mbi lumin Dnipro. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se ura u godit gjatë natës me mjete ajrore pa pilot, duke pretenduar se ajo përdorej për lëvizjen e trupave dhe furnizimeve ushtarake. Autoritetet ukrainase raportuan dëmtime në infrastrukturën e urës dhe kufizime të qarkullimit.
Moska ka paralajmëruar gjithashtu për sulme të tjera masive dhe u ka bërë thirrje diplomatëve dhe shtetasve të huaj të largohen nga Kievi.
Goditja e Urës Veriore vjen pas sulmeve të fundit ndaj infrastrukturës së tjera të kryeqytetit, duke shkaktuar probleme të rëndësishme në qarkullim. Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se sulmet ndaj infrastrukturës kritike mund të rëndojnë situatën e qytetit përpara muajve të ftohtë.
Në të njëjtën kohë, shqetësimi kryesor lidhet me rrjetin energjetik ukrainas.
Sipas një dokumenti rus të interceptuar, të cilin ministri ukrainas i Energjisë, Denys Shmyhal, ua ka paraqitur partnerëve evropianë dhe që është shqyrtuar nga The New York Times, një plan i mundshëm dimëror parashikon përdorimin e deri në 1,000 raketave, dronëve dhe bombave kundër objekteve energjetike dhe të infrastrukturës ujore.
Dokumenti përmend nënstacionet elektrike, hidrocentralet, termocentralet dhe sistemet e furnizimit me ujë.
Megjithatë, The New York Times thekson se dokumenti nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe mbetet e paqartë nëse plani do të zbatohet në tërësi.
Sulmet e fundit kanë rritur shqetësimet për një fushatë të re dimërore kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Vetëm pak ditë më parë, një sulm i gjerë rus me raketa dhe dronë shkaktoi viktima dhe ndërprerje të energjisë në disa zona, ndërsa Kievi kërkon nga aleatët më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.
Ndërkohë, gjatë vizitës së tij në Kiev, kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi një paketë të re ndihme për Ukrainën, që përfshin rreth 1 miliard euro ndihmë ushtarake dhe 350 milionë euro për riparimin e infrastrukturës energjetike.
Në këtë klimë përshkallëzimi, përpjekjet diplomatike për një ulje të tensioneve mbeten të brishta, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të godasin objektiva strategjike në territorin e kundërshtarit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.