FOKUS – Nauseda: Ukraina të mos përjashtohet nga negociatat për fundin e luftës
VILNIUS, 22 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, deklaroi sot se Ukraina duhet të jetë patjetër pjesë e negociatave për përfundimin e luftës së nisur nga Rusia.
Deklarata e tij vjen mes raportimeve për një samit të mundshëm trepalësh mes presidentit rus Vladimir Putin, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit amerikan Donald Trump, që mund të zhvillohet në nëntor, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në qytetin kinez Shenzhen.
Moska po kërkon organizimin e këtij takimi, ndërsa presidenti Trump ka shprehur gatishmëri për një takim të tillë.
Presidenti amerikan ka deklaruar se bisedimet mes tri fuqive më të mëdha bërthamore për çarmatimin bërthamor do të ishin një zhvillim shumë i rëndësishëm për botën.
Ai ka thënë gjithashtu se në takim mund të diskutoheshin edhe çështje të tjera, përfshirë luftën në Ukrainë.
Nauseda paralajmëroi se negociatat mes Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, pa pjesëmarrjen e Ukrainës, mund të krijojnë rrezikun e ndarjes së botës në sfera ndikimi.
Sipas tij, formatet e propozuara nga Moska ngrenë shqetësime se mund të përsëritet një skenar i ngjashëm me atë të Luftës së Dytë Botërore, kur fuqitë e mëdha përcaktuan zona ndikimi pa marrë parasysh plotësisht interesat e popujve të përfshirë.
Presidenti lituanez vuri gjithashtu në dyshim mundësinë që Kina të luajë rolin e një ndërmjetësi plotësisht të paanshëm, për sa kohë që vazhdon të mbështesë Rusinë në luftën kundër Ukrainës.
Ai theksoi se edhe Evropa duhet të përfaqësohet në çdo proces të mundshëm negociatash, megjithëse fillimisht duhet të përcaktohen kritere të qarta për përzgjedhjen e përfaqësuesit evropian.
Si një kandidat të mundshëm për këtë rol, Nauseda përmendi presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costan, i cili mund të përfaqësojë interesat e Bashkimit Evropian në negociata.
Debati mbi përbërjen e mundshme të bisedimeve pasqyron shqetësimet e vendeve baltike se një marrëveshje e arritur pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës dhe pa përfshirjen e Evropës mund të cenojë sigurinë rajonale dhe të ardhmen e rendit evropian të sigurisë. /Ad.Ab./ a.jor.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.