FOKUS – Pas skandaleve me IA, etiketat “shkruar nga njerëzit” po fitojnë terren
FRANKFURT, 11 tetor /ATSH-AFP/ – Nismat për të etiketuar librat e shkruar nga njerëzit, dhe jo nga inteligjenca artificiale (IA), po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje, pas një sërë skandalesh ku autorë janë dyshuar se kanë përdorur këtë teknologji pa e deklaruar.
Disa sisteme certifikimi nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania u prezantuan këtë javë në Panairin e Librit në Frankfurt, panairi më i madh në botë për industrinë e librit, ku sfidat e IA-së ishin në qendër të diskutimeve.
Ndër rastet më të bujshme të kohëve të fundit është ai i shkrimtarit haitiano-kanadez Thelyson Orelien, i cili ka tronditur botën letrare frankofone.
Ai është akuzuar se ka përdorur IA-në për të shkruar romanin e tij të parë, “It Was Either That or Die”, por i ka mohuar pretendimet.
Çështja u cilësua si një “tërmet i vërtetë” për industrinë franceze të librit nga Charlotte Allibert, bashkëthemeluese e “Librinova” – s, një kompani e specializuar në vetëbotimin e librave dhe shërbimet letrare.
“Librinova” zbaton një skemë përmes së cilës autorët mund t’i paraqesin veprat e tyre për vlerësim dhe të marrin, kundrejt një tarife të vogël, etiketën “krijim njerëzor”.
Deri më tani, rreth 200 vepra kanë marrë këtë certifikim.
Procesi përfshin analizimin e librave nga programe për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara nga IA-ja, si dhe një intervistë me një auditor, i cili e kontrollon veprën edhe personalisht.
Në Britaninë e Madhe kompania “Books By People” ka prezantuar certifikimin “letërsi organike”, që kërkon që shkrimi të jetë krijuar nga vetë autori, duke lejuar përdorim të kufizuar të IA-së për kontrolle drejtshkrimore dhe gramatikore.
Nisma synon të krijojë standarde transparente dhe të besueshme për autorët dhe botuesit. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, organizata “Authors Guild” ka krijuar një sistem vetëcertifikimi me etiketën “shkruar nga njeriu”, të cilën e kanë marrë deri më tani rreth 6 500 tituj.
Rastet e dyshuara të përdorimit të IA-së janë shtuar edhe në vende të tjera.
Në fillim të këtij viti, shtëpia botuese “Hachette” anuloi publikimin në SHBA të romanit horror “Shy Girl”, nga Mia Ballard, dhe e tërhoqi librin nga shitja në Britaninë e Madhe.
Ballard mohoi se e kishte përdorur vetë IA-në, por pranoi se një person i angazhuar për redaktimin e librit kishte përdorur këtë teknologji.
Këto raste kanë shtuar shqetësimet e autorëve, veçanërisht të atyre që i botojnë vetë veprat, se mund të dyshohen padrejtësisht për përdorimin e IA-së./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.