FOKUS – Pheniani lëshon rreth 12 raketa balistike, rriten tensionet me Seulin
SEUL, 29 tetor /ATSH-AFP/ – Pheniani ka lëshuar sot rreth 12 raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi nga brigjet e tij lindore, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve po përshkallëzohen.
Lëshimi i raketave vjen pa më pak se një javë pasi Seuli propozoi zhvillimin e bisedimeve ushtarake për shkak të mosmarrëveshjeve në rritje përgjatë kufirit mes dy Koreve.
Ndërkohë, Pheniani ka shtuar provat e armëve javët e fundit, pavarësisht ofertës së Koresë së Jugut për dialog.
Raketat u lëshuan nga zona e qytetit bregdetar Wonsan, në lindje të Koresë së Veriut, drejt Detit Lindor, i njohur edhe si Deti i Japonisë.
Sipas Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë së Koresë së Jugut, ato përshkuan rreth 250 kilometra. Autoritetet ushtarake të Seulit deklaruan se kanë shtuar mbikëqyrjen dhe po analizojnë karakteristikat e raketave, në koordinim me Shtetet e Bashkuara.
Zyra e Sigurisë Kombëtare e Koresë së Jugut i cilësoi lëshimet si shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke i konsideruar veprime që vështirësojnë përpjekjet për të menaxhuar situatën. Edhe roja bregdetare japoneze u bëri thirrje anijeve në zonë të tregoheshin të kujdesshme.
Dy Koretë mbeten teknikisht në gjendje lufte, pasi konflikti përfundoi në vitin 1953 me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje. Tensionet e fundit zhvillohen gjithashtu në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur interes për kontakte të reja me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e Seulit në negociatat e mundshme bërthamore./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.