FOKUS – Rusia sulmon Kievin me raketa balistike
KIEV, 24 shtator /ATSH-DPA/- Rusia ndërmori një tjetër sulm me raketa balistike ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit, duke vrarë të paktën dy persona dhe plagosur gjashtë të tjerë, njoftoi sot kryebashkiaku Vitali Klitschko.
Pas aktivizimit të sirenave të alarmit ajror, në qytet u dëgjuan disa shpërthime të fuqishme.
Burime në Telegram të lidhura me ushtrinë, raportuan se gjatë tri valëve të para të sulmit u lëshuan të paktën 14 raketa.
Klitschko tha se ekipet e emergjencës u dërguan në disa zona të Kievit.
Në një zonë të qytetit, copëzat e raketave dëmtuan dritaret dhe pjesën e jashtme të një materniteti.
Askush brenda ndërtesës nuk u plagos, por një person u vra në parkimin e maternitetit.
Në një zonë tjetër, një shtëpi u dëmtua dhe mund të ketë njerëz të bllokuar nën rrënoja.
Mediet lokale raportuan gjithashtu për disa zjarre në qytet.
Sulmi nisi pas orës 01:00 të mëngjesit, një dite pasi Kievi njoftoi 11 herë alarmet për sulme ajrore.
Gjatë ditës, qyteti u sulmua vazhdimisht edhe nga dronë luftarakë me motor reaktiv, të cilët lëvizin me shpejtësi të madhe.
Mbrojtja ajrore ukrainase nuk ka mjete efektive të mjaftueshme për t’i ndaluar këta dronë, ndërsa Kievi ka gjithashtu mungesë municionesh për të rrëzuar raketat balistike.
Sipas Klitschko, dy persona u vranë dhe 45 të tjerë u plagosën në sulmet ndaj Kievit gjatë së mërkurës.
Ukraina po përballet me pushtimin e plotë rus prej më shumë se katër vitesh e gjysmë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.