FOKUS – Shtrenjtohet nafta pas sulmeve të rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite
PARIS, 12 tetor /ATSH-AFP/ – Çmimet e naftës u rritën sot, pas sulmeve të pretenduara nga rebelët Houthi të Jemenit ndaj aeroporteve dhe infrastrukturës energjetike saudite gjatë fundjavës, pavarësisht shpresave për një “armëpushim energjetik” mes Ukrainës dhe Rusisë.
Nafta “Brent” e Detit të Veriut, për kontratat me dorëzim në dhjetor, u rrit sot me 1,30%, duke arritur në 106,08 dollarë për fuçi.
Ndërkohë, nafta amerikane “West Texas Intermediate “(WTI), për kontratat me dorëzim në nëntor, u shtrenjtua me 1,31%, duke u tregtuar me 93,05 dollarë për fuçi.
Sulmet ndaj Riadit gjatë ditëve të fundit kanë një përmasë të paprecedentë që nga fillimi i luftës në Jemen, në vitin 2014.
Konflikti zhvillohet mes rebelëve Houthi dhe forcave qeveritare, të mbështetura ushtarakisht nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite që prej vitit 2015.
Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, deklaruan se kishin kryer “katër operacione në shkallë të gjerë”, duke shënjestruar, ndër të tjera, aeroportin ndërkombëtar të Riadit, aeroportin e Dammamit dhe dy objekte të gjigantit energjetik “Aramco”.
Ndërkohë, agjencia britanike e sigurisë detare UKMTO raportoi edhe për tri sulme ndaj anijeve gjatë fundjavës në Ngushticën e Hormuzit dhe në Gjirin e Omanit.
Në Lindjen e Mesme, “përparimi drejt një armëpushimi të qëndrueshëm mbetet i vështirë”, shpjegon Neil Wilson, analist në “Saxo Markets”.
Sipas tij, kjo situatë vazhdon të ushtrojë presion në rritje mbi çmimet e naftës./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.