FOKUS – Zelensky dhe Trump drejt një takimi në Nju Jork, synohet rifillimi i negociatave
KIEV, 21 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se planifikon të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Nju Jork gjatë ditëve të ardhshme, në një kohë kur po shtohen përpjekjet për të rifilluar negociatat që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.
Zelensky tha se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Trumpin dhe se të dy kishin diskutuar për një sërë çështjesh në prag të takimit.
Takimi pritet të zhvillohet në Nju Jork, ku të dy liderët do të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Një takim me Trump në Nju Jork mund të sjellë rezultate të rëndësishme”, tha Zelensky duke lënë të kuptohet se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mund të rifillojnë.
“Ka përparim në përpjekjet diplomatike”, shkroi ai në Telegram. Zelensky nuk bëri të ditur datën e saktë të takimit.
Në fillim të këtij muaji, Zelensky u takua në Kiev me Steve Witkoff, të dërguarin kryesor të SHBA-së për negociatat, dhe Jared Kushner, dhëndrin e Trump.
Për të dy, kjo ishte vizita e parë në Ukrainë, në kuadër të përpjekjeve të tyre për ndërmjetësimin e konfliktit.
Më herët, ata kishin zhvilluar disa vizita në Rusi, e cila nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, më shumë se katër vjet e gjysmë më parë.
Pritet rifillimi i bisedimeve direkte
Sipas planit që po diskutohet, negociatat direkte mes Kievit dhe Moskës mund të rifillojnë me ndërmjetësimin e SHBA-së, ndërsa Rusia ka deklaruar se bisedimet mund të rinisin në tetor.
Negociatat kishin ngecur gjatë dimrit të kaluar dhe më pas u pezulluan gjatë luftës mes Izraelit dhe Iranit.
Witkoff dhe Kushner, të cilët kanë qenë gjithashtu të përfshirë në përpjekjet diplomatike për konfliktet në Lindjen e Mesme, tani po përpiqen sërish të ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhjeje për luftën në Ukrainë.
Zelensky tha se po diskutohen masa për uljen e tensioneve dhe çështje të rëndësishme të sigurisë, përfshirë furnizimin me energji, ushqimin dhe mbrojtjen e jetës së njerëzve.
“Po punojmë së bashku me ekipin amerikan dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa vërtet seriozë”, shkroi ai në Telegram.
Zelensky nuk dha detaje të tjera për këto masa.
Presidenti ukrainas i ka kërkuar gjithashtu SHBA-së, t’i sigurojë Ukrainës raketa të tjera për mbrojtjen ajrore, me qëllim përballimin e sulmeve ruse me raketa balistike.
Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën se nuk kanë interes të sinqertë për t’i dhënë fund luftimeve.
Ukraina, e mbështetur nga ndihma ushtarake e vendeve perëndimore, kërkon gjithashtu të rimarrë territoret, që aktualisht kontrollohen nga forcat ruse. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.