Fotoreporteri Gani Xhengo: Fotot e ATSH-së, dëshmi e historisë dhe kujtesës së Shqipërisë
Fotoreporteri Gani Xhengo, i cili ka punuar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare nga 1970-1998, vizitoi sot ekspozitën fotografike “32 imazhe, 32 histori – Shqipëria që ndryshon” në panairin “Klik Ekspo Group”, duke ndarë kujtime dhe përvoja nga karriera e tij në një prej sektorëve më të rëndësishëm të fotografisë dokumentare në Shqipëri.
Xhengo tha se ndihet i privilegjuar që ka qenë pjesë e ATSH-së për 28 vite, duke vlerësuar kontributin e fotoreporterëve që i paraprinë dhe i dhanë jetë historisë së këtij institucioni.
“Jam i nderuar dhe i privilegjuar që jam fotoreporter i ATSH-së dhe pasardhës i mjeshtrave, i fotoreporterëve që kanë bërë histori në ATSH si vëllezërit Ristani, Jani dhe Vasili, Mehmet Kallfa, Sotir Bej dhe atyre bashkëkohorë që kam punuar me ta, si Ilo Bero Golloshi, i cili e drejtonte sektorin në atë kohë që fillova unë punë në ATSH dhe vuri mbi baza më teknologjike duke importuar nga jashtë makineri, duke blerë aparatë fotografikë të kushtueshëm”, tha Xhengo.
Gjatë rrëfimit të tij, Xhengo u ndal tek aparaturat fotografike që përdorte, mes tyre aparati “Linof”, një pajisje manuale e rrallë dhe e kushtueshme, si dhe aparatet japoneze FT 3 dhe “Rolleiflex”.
“Sektori i fotografisë në ATSH funksiononte si një industri e mirëfilltë fotografike, ku për më shumë se dy dekada u realizuan dhe përpunuan mijëra fotografi, që dokumentonin ngjarjet politike dhe zhvillimet e jetës së përditshme në vend. Puna e fotoreporterëve shtrihej përtej Tiranës dhe aktiviteteve politike, duke përfshirë një tematikë të gjerë shoqërore, ekonomike dhe institucionale, nga arsimi e shëndetësia te ndërtimet dhe zhvillimet në të gjitha fushat e jetës”, tha Xhengo.
Sipas tij, fotografitë e realizuara nga sektori përdoreshin për dokumentimin e veprimtarisë së institucioneve dhe shpërndaheshin për nevojat e vendit, si dhe për ambasadat shqiptare jashtë vendit.
Xhengo vuri në dukje se pavarësisht funksionit propagandistik që kishte fotografia në sistemin e kohës, rëndësi i kushtohej verifikimit të informacionit dhe saktësisë së përmbajtjes.
“Edhe një fotografi e vetme ka vlera historike, ka informacion, ka përmbajtje dhe profesionalizëm. Ajo i ka të gjitha”, theksoi Xhengo.
Ai e vuri theksin edhe te rëndësia e fotografisë si dëshmi dokumentare dhe pjesë e kujtesës historike.
Stenda e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në panairin “Klik Ekspo Group” po vizitohet gjithashtu nga vizitorë vendas, por edhe të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për ekspozitën fotografike “32 imazhe, 32 histori – Shqipëria që ndryshon”.
Përmes fotografive të përzgjedhura, vizitorët kanë mundësi të njihen me momente, ngjarje dhe zhvillime që pasqyrojnë transformimin e Shqipërisë ndër vite, si dhe me vlerat dokumentare të Arkivit Fotografik të ATSH-së.
Fotografitë e realizuara ndër vite nga fotoreporterët e ATSH-së përbëjnë sot një fond të rëndësishëm dokumentar, që pasqyron zhvillimet politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë në periudha të ndryshme historike.
Përtej momentit që fiksojnë, ato ruajnë dëshmi të jetës së vendit, të njerëzve dhe ngjarjeve që kanë shënuar kohën, duke u kthyer në një burim të çmuar për studiuesit, mediet dhe brezat e ardhshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.