GREQI – Mijëra nxënës dhe studentë protestojnë për rritjen e financimit të arsimit publik
– Mijëra nxënës, studentë dhe mësues kanë protestuar sot në qendër të Athinës, duke kërkuar rritjen e financimit shtetëror për arsimin publik, përmirësimin e kushteve në shkolla dhe universitete, si dhe garantimin e arsimit falas, raportoi “CNN Greece”.
Protestuesit u mblodhën rreth orës 11:00 përpara Universitetit të Athinës, nga ku marshuan drejt Parlamentit grek.
Sipas raportimeve, në protestë morën pjesë rreth 1 200 persona.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë, rritja e fondeve publike për shkollat dhe universitetet, riparimi dhe kontrolli i ndërtesave shkollore për garantimin e sigurisë, punësimi i më shumë mësuesve dhe plotësimi i vendeve vakante, reduktimi i numrit të nxënësve në klasa.
Gjithashtu, studentët kundërshtojnë futjen e provimeve kombëtare gjatë arsimit të mesëm, si dhe ndryshimet që lidhen me nenin 16 të Kushtetutës Greke, i cili përcakton kuadrin kushtetues të arsimit të lartë publik.
Studentët e universiteteve kanë ngritur shqetësimin për rritjen e kostos së jetesës, veçanërisht të qirave dhe strehimit studentor.
Ata kërkojnë më shumë konvikte, rritje të ndihmës financiare për strehimin dhe masa për të lehtësuar shpenzimet gjatë studimeve.
Federata e Mësuesve të Arsimit të Mesëm (OLME) ka mbështetur protestën, duke shpallur një ndërprerje katërorëshe të punës, nga ora 10:00 deri në 14:00, për t’u dhënë mundësi mësuesve të marrin pjesë në demonstratë.
Organizatorët e kanë lidhur gjithashtu mobilizimin në Greqi me protestat e zhvilluara në Francë, duke shprehur solidaritet me nxënësit dhe punonjësit francezë, që kërkojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të punës.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në Selanik, Patra, Heraklion dhe qytete të tjera greke. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.