FRANCË – Parisi akuzon Iranin për sulmet kibernetike ndaj supermarketeve
PARIS, 9 nëntor /ATSH-AFP/ – Franca ka akuzuar zyrtarisht, Iranin për sulme kibernetike ndaj sistemeve të frigoriferëve dhe ngrirësve në qindra supermarkete, duke paralajmëruar masa ndëshkuese në nivel evropian kundër Teheranit.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi sot se sulmet e regjistruara në tetor, janë kryer nga një njësi kibernetike e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.
“Ky sulm është i paprecedentë për nga përmasat dhe niveli i agresivitetit”, deklaroi Barrot, duke konfirmuar se ambasadori iranian në Paris, do të thirret në Ministrinë e Jashtme për t’i komunikuar zyrtarisht pakënaqësinë dhe kundërshtimin e saj ndaj sulmeve kibernetike.
Sipas autoriteteve franceze, sulmi kryesor ndodhi gjatë natës së 11-12 tetorit dhe shënjestroi sistemet e kontrollit të temperaturës, në frigoriferët e rreth 700 objekteve tregtare në Francë.
Hakerët ndërhynë në sistemet elektronike të pajisjeve frigoriferike, duke ndryshuar parametrat e temperaturës dhe të shkrirjes së akullit, me qëllim rritjen e temperaturës brenda frigoriferëve dhe ngrirësve.
Në disa raste, temperatura arriti deri në 50 gradë Celsius, duke shkaktuar prishjen e sasive të mëdha të mishit, produkteve të bulmetit dhe ushqimeve të tjera që ruheshin në kushte frigoriferike.
Sipas raportit të përbashkët të agjencive franceze të sigurisë dhe inteligjencës kibernetike, sulmet prekën kryesisht supermarketet, por edhe dyqane të vogla kasapësh, një thertore dhe disa fabrika të përpunimit të produkteve ushqimore.
Autoritetet raportuan gjithashtu të paktën 15 raste zjarresh, të shkaktuara nga mbinxehja e pajisjeve. Dëmet ekonomike nga sulmet vlerësohen në dhjetëra milionë euro.
Pas hetimeve, autoritetet franceze ia atribuuan sulmet njësisë kibernetike “Shahid Kaveh”, e lidhur me Qendrën Elektronike dhe Kibernetike të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Hetuesit thonë se identifikimi u bë përmes analizës së infrastrukturës digjitale të përdorur në sulme, ngjashmërive me operacione të tjera kibernetike të kësaj njësie dhe gjurmëve të përdorimit të gjuhës perse në sistemet e sulmuesve.
Prokuroria e Parisit ka hapur një hetim gjyqësor dhe ka kërkuar lëshimin e urdhërarresteve ndërkombëtare për drejtuesin e grupit, dy bashkëpunëtorët e tij dhe persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në operacion.
Ministri Barrot paralajmëroi se Franca do t’u propozojë partnerëve të saj në Bashkimin Europian, vendosjen e sanksioneve të reja ndaj individëve dhe subjekteve iraniane të përfshira në sulme.
Ai theksoi se Parisi rezervon të drejtën të ndërmarrë edhe masa të tjera, publike ose jo, në përgjigje të këtyre veprimeve.
Incidentet ndaj sistemeve frigoriferike nuk janë kufizuar vetëm në Francë.
Në fillim të nëntorit, probleme të ngjashme u raportuan në disa vende evropiane, përfshirë Suedinë, Belgjikën, Luksemburgun, Irlandën, Italinë dhe Estoninë.
Irani nuk ka dhënë një reagim zyrtar ndaj akuzave të fundit. Teherani ka mohuar në të kaluarën përfshirjen në operacione të dëmshme kibernetike. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.