FRANCË – Përshkallëzohen protestat në shkolla, 164 të arrestuar dhe dhjetëra të plagosur
PARIS, 28 shtator /ATSH-DPA/- Të paktën 164 persona janë arrestuar dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë protestave sot në shkollat e mesme në Francë, njoftuan autoritetet.
Nxënësit kërkojnë më shumë financim për nevojat e shkollave dhe mësues.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, tha se protestat kanë prekur rreth 180 shkolla, kryesisht në zonat Créteil dhe Versailles, pranë Parisit, por edhe në qytete të tjera si Lille, Lyon, Grenoble dhe Nice.
Sipas të dhënave paraprake, 12 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë plagosur.
Gjithashtu, janë plagosur tetë pjesëtarë të stafit të shkollave, mes tyre tre drejtorë, si dhe rreth 12 nxënës.
Ministri Nunez tha se në shumë raste, protestat nuk kishin të bënin vetëm me kërkesat e nxënësve, por kishin kaluar në akte dhune.
Ai bëri të ditur gjithashtu se policia po heton edhe pretendime për dhunë nga zyrtarë.
Nxënësit bllokuan sot hyrjet e 27 shkollave, ndërsa tentuan të bllokonin edhe 50 të tjera.
Protestat nisën të premten. Nxënësit kundërshtojnë mungesën e mësuesve dhe mjeteve në shkolla, klasat e mbipopulluara dhe oraret e ngarkuara mësimore.
Protestat pritet të vazhdojnë edhe nesër, në të njëjtën ditë kur është planifikuar edhe një grevë mbarëkombëtare e punonjësve të sektorit publik. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.