Shqiptarët e Teksasit protestuan në Austin në mbështetje të UÇK-së
Komuniteti shqiptar në Teksas ka organizuar një protestë para Kapitolit të shtetit në Austin, në kundërshtim të verdiktit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në mbështetje të luftës çlirimtare të Kosovës.
Pjesëmarrësit në protestë mbanin flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe pankarta me mesazhet “Not in My Name” dhe “Freedom Has a Name: UÇK”.
Gjatë protestës, para të pranishmëve folën kryetari i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Teksas, Visar Visoka, veterani i UÇK-së, Ekrem Hyseni, ish-kryetari i komunitetit, Nazar Mehmeti, si dhe Bruno Ceka, Ruzhdi Halili, Agim Halili dhe zëvendëskryetari i Bashkisë së Wylie, Gino Mulliqi.
Folësit e cilësuan verdiktin e Dhomave të Specializuara si të padrejtë dhe shprehën besimin se çështja mund të marrë një trajtim tjetër gjatë procesit të apelimit.
Në fjalimet e tyre u bë gjithashtu thirrje për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Kosovë dhe të diasporës rreth, siç u tha, mbrojtjes së historisë dhe trashëgimisë së luftës çlirimtare të UÇK-së.
Protesta në Austin është pjesë e reagimeve dhe tubimeve të organizuara nga shqiptarët në diasporë pas verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.