G20 – Lavrov: Nuk ka përmirësim të marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së
ATLANTA, 31 tetor /ATSH-DPA/– Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se deri më tani nuk ka pasur asnjë përmirësim të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pavarësisht pjesëmarrjes së tij në takimin e ministrave të Jashtëm të G20-s, që po zhvillohet në qytetin amerikan të Atlantës.
“Në praktikë, deri më tani nuk është shënuar asnjë përparim real në marrëdhëniet me SHBA-në”, deklaroi dje Lavrov.
“Për marrëveshjen për naftën ruse nuk duhet të krijohen iluzione”, shtoi ai, duke iu referuar marrëveshjes mes Uashingtonit dhe Kremlinit për heqjen e përkohshme të disa sanksioneve, me qëllim lejimin e blerjes së naftës ruse dhe uljen e çmimeve të karburanteve në pikat e furnizimit.
Megjithatë, Lavrov u ankua se çështjet kryesore mbeten të pazgjidhura, sanksionet vazhdojnë të jenë në fuqi dhe administrata aktuale amerikane po zbaton ende të gjitha masat ndëshkuese të vendosura nga ish-presidenti Joe Biden.
Sipas tij, për më tepër, janë vendosur edhe sanksione të reja ndaj dy kompanive të mëdha ruse të naftës, “Lukoil” dhe “Rosneft”.
Duke folur për bisedimet tripalëshe të planifikuara mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, Lavrov tha se qëndrimet e palëve në negociata janë të qarta.
Sipas sinjaleve të fundit nga Kremlini, delegacionet synojnë të takohen në mesin e nëntorit në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, për të vijuar diskutimet mbi një marrëveshje të mundshme paqeje, pas ndërprerjes së negociatave për disa muaj.
Në të njëjtën kohë, Lavrov kritikoi ashpër homologun e tij gjerman, Johann Wadephul, të cilin e akuzoi për atë që e quajti “diplomaci të fotografisë familjare”.
Ministrat e Jashtëm të G20-s vendosën të mos realizojnë fotografinë e përbashkët zyrtare të pjesëmarrësve në takimin e Atlantës.
Pak para nisjes së takimit, Wadephul kishte deklaruar se nuk do të kishte fotografi të përbashkët ku partnerët tanë evropianë të shfaqen së bashku me Lavrov.
“Unë këtë e quaj diplomaci të fotografisë familjare. Nëse për ta ka më shumë rëndësi se si duken në një fotografi të përbashkët dhe kush qëndron pranë tyre, atëherë kjo tregon gjithçka”, u shpreh Lavrov.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.