Gazetari i CNN ia përplasë Vuçiqit krimet e Serbisë: Kur Perëndimi mendon për ju, i kujtohen luftërat në Ballkan
Gazetari i njohur i CNN-it, Fareed Zakaria, e ka përballur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të kaluarën e Serbisë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, duke përmendur në mënyrë të veçantë Srebrenicën.
Në materialin hyrës të intervistës, CNN rikujton se Vuçiq ndodhet në pushtet prej më shumë se një dekade, ndërsa trajtohen edhe marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën.
Serbia përshkruhet gjithashtu si një vend me një të kaluar të lidhur me “nacionalizmin e dhunshëm”.
Zakaria e nis bisedën duke i thënë Vuçiqit se për një pjesë të madhe të opinionit në Perëndim, Serbia vazhdon të lidhet me luftërat e viteve ’90 në Ballkan.
“Shumica në botën perëndimore, kur mendojnë për Serbinë, mendojnë për luftërat në Ballkan, për atë që ndodhi në vende si Srebrenica, dhe ka shpresë se Serbia e ka lënë pas atë të kaluar”, i thotë Zakaria presidentit serb.
Në momentin kur gazetari i CNN-it flet për këtë periudhë, në material shfaqen edhe pamje të civilëve me duar të lidhura dhe të shtrirë në tokë para ekzekutimit.
Intervista e Vuçiqit me Zakarian është transmetuar të dielën, më 27 shtator, në emisionin “Fareed Zakaria GPS” të CNN-it. Mediat serbe kanë raportuar po ashtu se një pjesë e rëndësishme e bisedës është përqendruar në trashëgiminë e luftërave, Srebrenicën dhe raportin e Serbisë me atë periudhë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.