Gazmend Leka sjell simbolikën e flamurit kombëtar në galerinë e artit GOCAT
Piktori i mirënjohur Gazmend Leka u takua me studentë të Universitetit të Arteve për një bashkëbisedim mbi procesin krijues, simbolikën dhe interpretimin e veprave të tij.
Takimi u zhvillua me studentë të Atelierit të Grafikës, në Galerinë e Artit Bashkëkohor të Tiranës (GOCAT), ku studentët shoqëroheshin edhe nga pedagogu i tyre Ardian Isufi. Bashkëbisedimi erdhi në kuadër të ekspozitës “Nostratempus” të Gazmend Lekës, ekspozitë e cila merr vlera të veçanta në prag të festave të 28 dhe 29 nëntorit, duke qenë se i ka dhënë një vëmendje të veçantë trajtimit artistik të flamurit shqiptar përmes veprës “Geni ynë i shkruar në kuq e zi”. Në krijimet e Gazmend Lekës ngjyrat e flamurit ndërthuren me identitetin kombëtar, rrënjët dhe kujtesën kolektive.
“Nostratempus” kurohet nga Ardian Isufi dhe Ardian Kapo, duke sjellë në dialog të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Pjesë e saj është edhe cikli “Nostradamus”, i prezantuar për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve në vitin 1999. Tridhjetë e një kuti përfaqësojnë ditët e korrikut dhe pritjen e një katastrofe, ndërsa një datë e imagjinuar, 32 korriku, shndërrohet në simbol të shpresës dhe të mundësisë për një fillim të ri.
Në ditët kur shqiptarët përkujtojnë historinë dhe simbolet e tyre kombëtare, NOSTRATEMPUS ofron një mënyrë tjetër për të reflektuar mbi identitetin, trashëgiminë dhe atë që u përcjellim brezave të ardhshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.