Opozita kundër shkarkimit të katër anëtarëve të KPMSHCK-së, LVV-ja mbron rekomandimin
Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).
Kryetari i këtij komisioni, Albert Kinolli, ka prezantuar rekomandimin për shkarkimin e Malsore Gashi-Bajraktarit, Eshref Shabanit, Ardita Haxhnikaj-Demit dhe Arben Mehmetit.
Gjatë debatit parlamentar, deputetët e opozitës kanë kundërshtuar këtë rekomandim, duke e cilësuar si iniciativë me prapavijë politike, ndërsa deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë akuzuar ligjshmërinë e vendimmarrjes së këtij këshilli.
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka thënë se anëtarët e këtij institucioni kanë kryer detyrat e tyre dhe se iniciativa për shkarkimin e tyre ka për qëllim zëvendësimin me anëtarë të rinj.
“Për 2 vite, qeveria e Kosovës, me kryeministrin Albin Kurti, ka qëndruar në detyrë, ka marrë vendime tepër të mëdha të cilat kanë peshë të jashtëzakonshme për vendin dhe për qytetarët. Dhe ka pasur një vendim të Gjykatës Supreme se kanë bërë shkelje, sepse kanë mbajtur njëkohësisht 2 pozita. Dhe arsyetimi nga partia në pushtet ka qenë se ne s’kemi mund të lëmë vendin në vakum. Te rasti i këtyre anëtarëve, që krejt çështja është a kanë pasur kuorum, a s’kanë pasur kuorum. Por ajo çka është më e rëndësishmja është. Ata gjatë gjithë kohës punën e tyre e kanë kryer për atë që janë, kanë shqyrtuar gjithë ato ankesa të shërbyesve civilë të Kosovës. Mua më bën shumë të dyshoj që kjo iniciativë ka krejt bazë politike, qëllimi ka qenë që t’i zëvendësojnë këta anëtarë të mbetur me anëtarë të rinj”, tha Demaku.
Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Fitim Haziri, ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve të kolegjeve të këtij këshilli, duke kërkuar sqarime nëse ato janë formuar në përputhje me ligjin.
“A jeni në dijeni, se për cilin këshill jemi duke folur? Është ky këshill që ju ditë e natë keni mbajtur edhe nëpër komisione, edhe nëpër emisione televizive, keni kritikuar qeverinë Kurti se po paguan paga për punëtorë serbë të cilët nuk vijojnë punën, ndërsa është ky këshill, që ku e ke vendimin e këtij këshilli, që ky këshill e ka obliguar ministrinë, që krejt ata punëtorë që kanë qenë nëpër institucionet e Republikës së Kosovës dhe s’kanë vijuar asnjë ditë pune, kanë marrë paga pa shkuar në punë, e ka obliguar qeverinë me i kthy në punë. Jemi duke folur për një këshill që me 16 tetor 2024 ka mbajtur mbledhje, ku ka pas kurum dhe nuk ka vendosur për kolegje…Po fol për pavarësinë e këtij këshilli, por me të vërtetë ky këshill ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me juve. Saqë doli edhe anëtari i këtij këshilli, tha që jam krenar që i takoj Partisë Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Derisa, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se raporti është mbështetur në vlerësime të deputetëve të LVV-së dhe se pyetjet e ngritura ndaj anëtarëve të këshillit kanë pasur më shumë karakter politik sesa ligjor e funksional.
“Do të duhej të ishte e sinqertë nga kryetari i komisionit që të theksonte papajtueshmërinë me këtë raport të deputetëve që janë anëtarë të këtij komisioni. Unë e kam pasur mundësinë që për herë të parë të jem pjesë e këtij komisioni… Dhe më vonë është kuptuar që deputetët e lëvizjes Vetëvendosje kanë dilema sa i përket funksionit të tyre ose përgjegjësive funksionale që i kanë në raport me vendimmarrjen si anëtarë të këtij këshilli. Ashtu siç është theksuar, ata janë ngarkuar me disa pyetje të cilat për mendimin tim, pa dashur me u kufizu në interpretimet ligjore, më shumë politike e kam thënë që janë shumë pyetje të cilat e ngarkojnë me qëllime politike sesa ligjore dhe funksionale, edhe kjo ka rezultuar tash me këtë raport. Ajo çka duhet theksuar është se kjo shkelje, e cila është konstatuar, është konstatuar vetëm nga deputetët e lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i komisionit”, tha Zemaj.
Gjatë fjalimit të tij, deputeti nga Aleanca, Besnik Tahiri, ka vendosur në foltore një skemë të vizatuar në letër, në formë trekëndëshi, për të ilustruar raportin ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Duke iu referuar skemës, Tahiri ka shpjeguar kompetencat e këtyre institucioneve, ndwrsa ka kundërshtuar shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit.
“Në qoftë se e shihni poshtë trekëndëshin, në këtë anë e keni një institucion, një organizatë të madhe buxhetore, që e ka emrin Qeveria e Kosovës, e cila është përgjegjëse për rekrutimin e shërbyesve civil, por në të njëjtën kohë, në kuadër të vendimmarrjes në kabinetin e qeverisë, po ashtu në emërimin dhe përzgjedhjen e anëtarëve të agjencive të ndryshme ekzekutive, ndërsa në anën tjetër jemi ne, Parlamenti i Kosovës, i cili ekskluzivisht e ka të drejtën për të zgjedhur kryesisht zyrtarë të lartë publikë që janë në institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës, në institucion i tillë është edhe ky institucion, i cili, me sa di unë, rregullohet me nenin 101, paragrafin 2 të Kushtetutës, dhe po ashtu agjenci të tjera të cilat rregullohen me nenin 142. Tani, siç e shihni në majë të kësaj, është gjykata. Respektivisht, Këshilli i Pavarur. Ajo që po bëjmë sot është, po e bëjmë një shkarkim të 4 anëtarëve të cilëve ju kalon mandati edhe për disa muaj”, tha ai.
Deputeti i LVV-së, Egzon Azemi, ka kundërshtuar qëndrimet e opozitës, duke akuzuar KPMSHCK-në se ka marrë vendime në dëm të interesit të qytetarëve. Ai ka përmendur rastin e një zyrtareje të Ministrisë, e cila, sipas tij, ishte rikthyer në punë nga ky këshill, ndonëse kishte vepruar gabimisht në trajtimin e një ankese që lidhej me një kompani të naftës.
“E bëri gjithë këtë shfaqjeje në emër të moskapjes, por, a e dini se çka është KPMSHCK-ja. A e dini kë e ka kthyer në punë, një zyrtare e ministrisë është zënë me dokument, sepse, e ka dërguar vet një email gabimisht, që në vend me mbrojt qytetarin që është dëmtuar nga kompanitë e naftës, e ka dërguar gabimisht ankesën që vet zyrtarja e ministrisë e ka dërguar duke e mbrojt kompaninë e naftës, gabimisht e ka dërguar emailin në institucion. KPMSHCK-ja e ka rikthyer në punë, ne vend me mbrojt interesin e qytetarëve e ka mbrojt zyrtaren që nuk i mbron qytetarët. Mandej, vini ankoheni që po rriten çmimet e naftës, nuk po ka kontrolle, pra, ka pas kontrolle, është gjobitur një kompani e naftës, zyrtarja në këtë rast që është po ashtu e afërt me Aleancën…E keni friken dhe dhimbjen sepse po e dini se po ç ‘kapen këto institucione ”, tha Azemi. /kp/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.