“Gjenerali Mlladiq është në zemrën time”, deklarata skandaloze e Knezheviqit – përmend edhe Adem Jasharin
Një debat për këngët serbe në Mal të Zi mori një kthesë shumë më të rëndë politike kur deputeti proserb Milan Knezheviq vendosi në të njëjtin diskutim Adem Jasharin dhe Ratko Mlladiqin – dy figura që lidhen me dy narrativa krejtësisht të ndryshme të luftërave në ish-Jugosllavi.
Në Kuvendin e Malit të Zi, Knezheviq kundërshtoi reagimin e prokurorisë ndaj një grupi që në Tivar kishte kënduar një këngë kushtuar gjeneralit serb Veljko Radenoviq. Për ta forcuar argumentin e tij kundër ministrit Nik Gjeloshaj ai solli në debat edhe Adem Jasharin, duke pretenduar se institucionet nuk reagojnë ndaj këngëve që i kushtohen komandantit të UÇK-së.
Por më pas ai shkoi edhe më tej.
“Gjenerali Mladiq është në zemrën time”, deklaroi Knezheviq, duke e vendosur emrin e personit të dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në të njëjtin diskutim me figurën qendrore të rezistencës së armatosur shqiptare në Kosovë, raporton Borba.
Krahasimi nuk ishte thjesht një pjesë anësore e debatit për këngët. Ai shërbeu për ta zhvendosur diskutimin nga pyetja nëse institucionet malazeze duhet të hetojnë përmbajtjen e këngëve, te relativizimi i figurave dhe krimeve të luftërave të viteve ’90.
Knezheviq e paraqiti këtë si çështje të standardeve të dyfishta. Por duke përmendur Mladiqin në të njëjtin kontekst me Jasharin, ai solli në Kuvend edhe një nga figurat më të diskutuara të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi.
Ratko Mladiqi u dënua përfundimisht nga mekanizmi gjyqësor ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për gjenocid në Srebrenicë, si dhe për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ndërsa Adem Jashari, komandant i UÇK-së, u vra në mars të vitit 1998 në Prekaz, në një operacion të forcave serbe. Ai është kthyer në simbol të rezistencës së shqiptarëve të Kosovës dhe një prej figurave qendrore të kujtesës së luftës në Kosovë, raporton The GeoPost.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.