GJERMANI – Miratohet plani për linjën e re hekurudhore Hamburg-Hanover me vlerë 9 miliardë euro
– Gjermania planifikon të ndërtojë një linjë të re hekurudhore mes Hamburgut dhe Hanoverit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit në veri të vendit.
Projekti parashikohet të kushtojë të paktën 9 miliardë euro dhe të përfundojë deri në vitin 2050.
Komisioni i Transportit i Bundestagut mbështeti sot planin e kompanisë hekurudhore “Deutsche Bahn”, ndërsa miratimi përfundimtar nga Bundestagu pritet të bëhet nesër.
Linja e re synon të rrisë kapacitetin për transportin e pasagjerëve dhe mallrave dhe të lehtësojë ngarkesën mbi linjën ekzistuese.
Linja e re me dy shina do të projektohet për shpejtësi deri në 250 kilometra në orë, duke shkurtuar me rreth 18 minuta kohën e udhëtimit mes Hamburgut dhe Hanoverit.
Në të njëjtën kohë, do të modernizohet edhe linja aktuale, e cila përdoret nga trenat ndërqytetës, udhëtarët e përditshëm dhe transporti i mallrave.
Sipas “Deutsche Bahn”, trafiku në këtë linjë arrin deri në 147% të kapacitetit të parashikuar, duke e bërë atë një nga segmentet më të mbingarkuara.
Rikonstruksioni i linjës ekzistuese është planifikuar të nisë në 2029, ndërsa për të, do të investohen deri në 250 milionë euro deri në vitin 2034.
Sipas planit paraprak, dokumentet për miratimin e projektit pritet të dorëzohen në 2034, ndërtimi të nisë në 2036 dhe linja e re të përfundojë në 2050.
Megjithatë, ende duhet të sigurohet financimi i plotë dhe të përfundojnë procedurat e nevojshme për marrjen e lejeve të ndërtimit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.