Gjigantët e teknologjisë përballen me “taksën dixhitale” në Europë
Propozimi prek firma si “Facebook” dhe “Google”, me të ardhura vjetore globale mbi 750 milionë dollarë dhe të ardhura të taksueshme në BE mbi 50 milionë euro.
Lëvizja e Brukselit pason kritika të shumta se gjigantët e teknologjisë paguajnë pak taksa në Europë.
Komisioneri europian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici tha se vakuumi aktual ligjor ka krijuar boshllëqe të mëdha në të ardhurat publike të vendeve anëtare. Ai theksoi se, planet e KE-së nuk janë një strategji kundër Shteteve të Bashkuara apo gjigantëve amerikanë të teknologjisë.
Sipas Komisionit, kompanitë kryesore dixhitale paguajnë 9.5% taksë në BE, shumë më pak sesa 23.3% që paguajnë kompanitë tradicionale.
Taksa e propozuar prek të ardhurat “online” nga reklamat në motorët e kërkimit apo mediet sociale, tregtinë “online” dhe shitjen e të dhënave të përdoruesve. Kompanitë e teknologjisë si “Google”, “Amazon”, “Facebook”, etj., e kanë kundërshtuar propozimin duke thënë se paguajnë taksa sipas ligjeve në fuqi.
Plani i KE-së nuk ka as mbështetjen e të gjithë Europës, pasi disa vende anëtare, si Irlanda, nuk janë dakord me të dhe thonë se do të sjellë pasoja negative.